19 October, 2020


Kjo fundjavë mblodhi 6 profesorë të cilët tashmë janë reprezentues të ‘FILMI DHE MEDIA FAKTIKE’ në shkolla të ndryshme nëpër Kosovë në punëtorinë dy ditore të organizuar nga departamenti edukues DokuLab.

Moduli trajnues nisi me mësidhënësit të cilët prezantuan aktivitetet mësimore të zhvilluara gjatë pandemisë dhe si ata ja dolën mbanë, pavarësisht situatës, t’i mbajnë studentët e tyre të motivuar. Me fokus të veçantë në përfshirjen e mjeteve audio-vizuele në mësimdhënie si dhe fuqizimin e mendimit kritik, mësimdhënësit prezantuan aktivitetet me shfaqjen e filmave si dhe kalimin në mësimin online gjatë pandemisë. Pavarësisht sfidave që hasën, ata treguan se ishin të përcaktuar ta mbanin moralin dhe motivimin e studentëve duke përfshirë në orët mësimore filmat e prodhuar nga DokuLab.

Punëtoria gjithashtu solli edhe dy folës profesionistë si pjesë e bashkëpunimit me Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë dhe Rrjetin e Grave të Kosovës. Vesa Kelmendi prezantoi studimin e saj mbi ndikimin e rrjeteve sociale në ekstremizëm dhe radikalizim ndërkaq Adelina Berisha nga RrGK i inkurajoi mësimdhënësit të diskutojnë konceptet gjinore, ngacmimet seksuale si dhe elaboroi detajisht dhunën me baza gjinore si dhe dhunën seksuale. Ekspertiza praktike e folësve solli ide të reja që u mundësuan mësimdhënësve të mendojnë për këto qështje brenda klasës dhe individualitetit të studentëve të tyre.

Ndërkaq, mësimdhënësit theksuan rëndësinë e përfshirjes së mjeteve audio-vizuele në mësim si dhe zhvillimin e aftësive dhe të menduarit kritik që vinë si shkas i përdorimit të filmit dhe trajtimit të fenomeneve shoqërore përmes qasjes artistike. Disa shembuj u dhanë edhe mbi mënyrat se si ata përdorin filmin në klasat e tyre dhe tani në orët mësimore online.

Dita e dytë e punëtorisë u fokusua në përmirësimin e fletave punuese të lëndëve të ndryshme të cilat do të përdoren përkitazi me kurrikulën mësimore. Mësimdhënësit ndanë përspektivën e tyre se si t’i mbajnë studentët e angazhuar dhe t’u bëjnë të ditur konceptet që operojnë dhe formësojnë ata sipas moshës së tyre.

Punëtoria dy ditore na la me shpresë dhe të inspiruar. Duke parë dedikimin dhe përkushtimin i tyre është e qartë se ata jo vetëm se po ngrisin vetëdijësimin e studentëve të tyre por edhe po i nxisin që ata të bëhen ‘zëra aktivë të së ardhmes’.

Prodhuar përmes ‘Filmi dhe Mediat Faktike’ nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).