DokuFest ka kënaqësinë të shpallë projektet e përzgjedhura për edicionin e parë të Forumit të Filmit të Shkurtër, një platformë rajonale për bashkë krijim dhe prezantim që mbështet filma të shkurtër nga Ballkani. Iniciativa do të fillojë me një sesion online më 25 korrik, dhe vazhdon me programin fizik në Prizren nga 4 deri më 6 gusht 2025, gjatë edicionit të 24'të të DokuFest. 

8 projekte nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë përzgjedhur për këtë edicion të parë, duke sjellë një gamë të gjerë tregimesh nga zhanre të ndryshme: animacion, dokumentar, fiksion, hibrid dhe eksperimental. 
 
 
“Forumi si ide ka qenë prezente që nga viti 2015, por pa një mbështetje të qëndrueshme financiare ishte e pamundur ta fillonim,” thotë Eroll Bilibani, udhëheqës i DokuLab. “Një nga pengesat kryesore ishte mospranimi i Kosovës në programin e MEDIA të Creative Europe. Kjo e bëri thuajse të pamundur krijimin e një platforme të qëndrueshme që mbështet zëra të rinj nga Kosova dhe që ofron mundësi bashkëkrijimi rajonal me filma të shkurtër. Me mbështetjen afatgjatë të Ambasadës Suedeze dhe Ministrisë së Kulturës, po e nisim këtë iniciativë rajonale kaq të rëndësishme për kinemanë ballkanike. Prej kohësh kemi ndjekur modelin nordik për bashkëpunim dhe përkrahje të filmit të shkurtër, dhe ky model na ka frymëzuar, padyshim shpresojmë që këtë frymë ta sjellim edhe në Ballkan. Jam gjithashtu mirënjohës për bashkëpunimin me Jing Haase, ajo ka qenë me ne që nga fillimi, dhe me Martijn te Pas, i cili do të mentorojë ekipet e përzgjedhura.” 

Forumi do të moderohet nga Jing Haase, kuratore dhe eksperte e filmit të shkurtër me mbi 20 vite përvojë në industri. Ajo ka punuar më herët në Nordisk Panorama dhe në Institutin Suedez të Filmit, me fokus në distribuimin ndërkombëtar të filmave të shkurtër. 

Ekipet pjesëmarrëse do të mentorohen nga Martijn te Pas, ish-programues në IDFA, me përvojë në zhvillimin e dokumentarëve, këshillim festivalesh dhe strategji prezantimi për filmbërësit. 

 

PROJEKTET E PËRZGJEDHURA 

Kosova 

Crow Funeral 

Regjia: Durim Klaiqi 

Producent: Durim Klaiqi 

Zhanri: Hibrid 

Një dokumentar eksperimental që eksploron aktin e vëzhgimit përmes arkivave të pasluftës dhe materialeve personale të Ahmet Grajqevcit. Filmi zhvillohet në pesë dimensione: gjuha, imazhi, hapësira, koha dhe ndjenja. 


I Still Haven’t Cried 

Regjia: Flaka Kokolli 

Zhanri: Animacion 

Dy vajza flasin për vdekjen e babait të Natës dhe mungesën e reagimit të saj emocional. Në të njëjtën kohë, filmi shqyrton mënyrën se si këto imazhe dhe tinguj ndikohen nga shikuesi. 


Soundtrack of a People: Boom 

Regjia: Fjolla Muharremi 

Producentë: Laberion Nitaj & Ismail Myrseli 

Zhanri: Dokumentar 

Një rikthim në skenën muzikore të viteve 1981–1987 në Kosovën e pas-Titos, ku muzika bëhej zë i një brezi të harruar. 


Who Is Singing? 

Regjia: Ana Morina 

Producent: Anita Morina 

Zhanri: Animacion 

Historia e dy ish-të burgosurave politike që takohen pas 40 vitesh, për të kujtuar ditën kur Afërdita u mor me forcë për këngën e saj për lirinë. 


Maqedonia e Veriut 

Soil 

Regjia: Kiril Karakash, Svetislav Podleshanov 

Producent: Kiril Karakash, Svetislav Podleshanov 

Zhanri: Dokumentar 

Një portret vizual metaforik i fëmijëve që rriten pranë një vend-depozite me 15,000 tonë arsenik, vetëm disa metra nga shkolla e tyre. 

 

sveti antun pustinjak 

Regjia: Antonio Dimovski 

Zhanri: Eksperimental 

Filmi eksploron kujtesën, identitetin, shpirtëroren dhe shëndetin mendor në një kontekst post-socialist përmes një rrëfimi vizual intim. 

 

Shqipëria 

Until the Sun Sets 

Regjia: Gledis Bica 

Producent: Ajsela Vojka 

Zhanri: Fiksion 

Albana plagoset nga vëllai i saj për një dashuri të fshehtë. E shtrirë në borë, para syve të komunitetit që nuk reagon, ajo pret derisa dielli të perëndojë. 


Discobox 

Regjia: Romina Ruda 

Producent: Blerina Hankollari 

Zhanri: Fiksion 

Një dramë e ndjeshme që ndodh brenda një nate në një klub në Tiranë, ku tre miq përballen me identitetin dhe të kaluarën e tyre në një realitet post-komunist. 

 

SHTETI MYSAFIR: SKOCIA 

Në bashkëpunim me Scottish Documentary Institute, Skocia është vendi mysafir i edicionit të parë të Forumit. Tre projekte filmike në post-produksion, të xhiruara në Kosovë gjatë programit të rezidencës “Breaking Borders” me mbështetjen e British Council Collaborative Grants, do të prezantohen në Forum. 


Forumi i Filmit të Shkurtër organizohet nga DokuFest, në partneritet me qendrat kinematografike të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe në bashkëpunim me: Italian Short Film Center, ShorTo Film Market, Documentary Association of Europe, Thessaloniki Film Festival – AGORA MARKET, Square Eyes, YLE – transmetuesi publik i Finlandës, dhe The New York Times: Op-Docs. 


Forumi mbështetet nga Programi Creative Force, i financuar nga Sida – Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar, dhe Ambasada Suedeze në Prishtinë, me mbështetje vjetore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.