28 April, 2025


Më 16 prill 2025, në hapësirën Barabar në Prishtinë, u mbajt ekspozita përmbyllëse e projektit “Stories We Tell”, financuar nga SMART Balkans. Ky event mblodhi pjesëmarrës nga të katër kampet ndërkulturore të mbajtura gjatë projektit, duke sjellë bashkë mbi 50 të rinj nga e gjithë Kosova, të moshës 18–25 vjeçare.

Në këtë ekspozitë u prezantuan intervistat finale të realizuara gjatë kampit të tretë dhe të katërt, ku pjesëmarrësit reflektonin mbi përvojat, sfidat dhe njohuritë që fituan gjatë rrugëtimit të tyre. Këto intervista, të krijuara në formë diskutimesh, përfaqësuan dëshminë e fuqisë së tregimit për të ndërtuar ura lidhëse mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.

“Stories We Tell” përveq se një një seri kampesh — ishte një hapësirë ku të rinjtë patën mundësinë të zhvillonin aftësi teknike në filmim dhe editim, të eksploronin artin e tregimit dhe të reflektonin mbi rolin e tyre në shoqëri. Nëpërmjet vizitave në institucione kulturore si Autostrada Biennale dhe Kino Lumbardhi, si dhe diskutimeve mbi artin dhe ndikimin shoqëror, pjesëmarrësit u pasuruan me histori që sfidojnë barrierat dhe nxisin ndryshim shoqëror.

Përmes katër edicioneve, projekti nuk solli vetëm njohuri dhe shkathtësi të reja, por edhe krijoi një komunitet të ri të rinjsh të përkushtuar për të ndërtuar një të ardhme më të hapur dhe gjithëpërfshirëse përmes fuqisë së tregimit.