Përgjatë muajit Prill dhe Maj, DokuFest ka përfundur implementimin e pjesës së dytë të projektit D:Fict, këtë herë me fokus në Prodhimin Krijues te filmit dokumentar.

Udhëhequr nga ekspertë të fushës, Trëndelina Halili, Anita Morina dhe Kushtrim Haxha, trajnimi i dytë është fokusuar në pjesën teorike dhe praktike të krijimit të një filmi dokumentar. 

Sesioni filloi me një hyrje në bazat e rrëfimtarisë në dokumentar, ku nxënësit u njohën me strukturën, kuadrin dhe elementet thelbësore që duhen për të ndërtuar një histori . Ligjëruesit, përmes një ligjërate të shkurtër, prezantuan gjithashtu aspektet vizuale dhe rëndësinë e zërit në procesin krijues të një dokumentari. 

Pas pjesës teorike, nxënësit u ndanë në katër grupe për të zhvilluar një ide filmike, të cilën duhet ta realizonin deri në fund të ditës. Ata u udhëzuan të ndajnë rolet brenda grupit – përfshirë regjisorin, skenaristin, producentin, ekipin e zërit etj– me qëllim që puna të organizohej në mënyrë sa më efikase. 

Pjesa praktike përfshiu ushtrime me kamerë dhe mikrofon, ku nxënësit u angazhuan drejtpërdrejt në eksplorimin e hapësirës që do të përdornin për xhirime dhe mënyrën më të përshtatshme për ta shfrytëzuar atë. 

Në fazën përfundimtare të ditës, pjesëmarrësit kaluan në procesin e editimit të materialeve të xhiruara. Ligjëruesit prezantuan platformat që mund të përdoren për editim, demonstruan në kohë reale teknikat bazë të editimit, përzgjedhjen e materialeve dhe ndërtimin e rrëfimit në mënyrë të strukturuar. 

Trajnimi i dytë D:FICT kishte në fokus të mësuarit praktik dhe bashkëpunim, duke kombinuar teorinë me praktikën dhe duke i pajisur këta të rinj me njohuri për krijimin e një dokumentari të shkurtër.

Ky projekt implementohet në bashkëpunim me Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren të GIZ Kosova.