05 June, 2025
DokuFest ka mbyllur thirrjen për pjesëmarrje në Forumin e Filmit të Shkurtër, një iniciativë e re në kuadër të edicionit 2025, që synon të mbështesë kineastët e rinj të filmit të shkurtër në Ballkanin Perëndimor.
Projektet e përzgjedhura do të ftohen të marrin pjesë në një trajnim treditor për përgatitjen e prezantimeve (pitching), që do të zhvillohet nga 4 deri më 6 gusht. Ky trajnim ka për qëllim të ndihmojë kineastët të përmirësojnë mënyrën e prezantimit të projekteve të tyre. Programi do të përfundojë me ditën e prezantimit më 6 gusht, ku pjesëmarrësit do të prezantojnë projektet filmike para një jurie profesionale nga industria e filmit.
Lista e pjesëmarrësve të përzgjedhur do të publikohet në faqen e DokuFest gjatë javës së parë të korrikut.
Forumi i Filmit të Shkurtër organizohet nga DokuFest në partneritet me qendrat e filmit të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë; Italian Short Film Center, ShorTo Film Market, Documentary Association of Europe, AGORA MARKET i Festivalit të Filmit në Selanik, Square Eyes, Televizioni publik Finlandez YLE, The New York Times: Op-Docs. Nëpërmjet një partneriteti me Scottish Documentary Institute dhe programin ‘Breaking Borders’, Forumi i Filmit të Shkurtër 2025 do ta mirëpresë Skocinë si vend mysafir.
Forumi i Filmit të Shkurtër mbështetet nga Programi Creative Force, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Ambasada Suedeze në Prishtinë, si dhe përmes mbështetjes vjetore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Për listën e plotë të çmimeve në Short Film Forum, klikoni këtë link