Yll Limani me donacion bujar për të mbështetur iniciativën DokuFest Green Cinema; vizionin tonë për një kinema plotësisht të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.

Pak orë para se të ngjitet në skenën tonë të DokuNights, kemi mirëpritur në DokuFest artistin tonë të dashur Yll Limani dhe kontributin e tij të çmuar për projektin tonë “DokuFest Green Cinema”, ku ai ka dhuruar 10,000 euro për të ndihmuar në realizimin e vizionit tonë për një kinema plotësisht të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin. 

Prej vitesh, projekti ynë Solar Cinema, i shpërblyer me çmime dhe shumë i dashur për publikun, ka sjellë shfaqje filmash në ambiente të hapura dhe falas për audienca të gjera, deri në zonat më të largëta të Kosovës. Tani jemi të lumtur të hapim një kapitull të ri me DokuFest Green Cinema, një projekt që do të mbështetet tërësisht në energji të pastër dhe që ka në thelb të tij kujdesin për mjedisin. 

Falënderojmë shumë Yll Limanin që iu bashkua dhe i besoi vizionit të festivalit tonë për një kulturë të qëndrueshme. Për një kinema që nuk e dëmton planetin. 

Projekti mbetet i hapur për donacione nga artistë, partnerë, kompani dhe njerëz që duan t’i bashkohen kësaj lëvizjeje dhe besimit tonë se kinemaja nuk ka vetëm fuqinë të pasqyrojë botën por edhe ta ndryshojë atë.