Nga data 8 deri më 13 gusht 2026, në hapësirat e shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, fëmijët e moshave 6 deri 14 vjeçare do të kalojnë ditë të mbushura me filma frymëzues dhe punëtori përplot imagjinatë. Fëmijët do të mund t'i shohin gjithsej 38 filma të programit DokuKids, çdo ditë prej orës 10:00 deri në 12:00 dhe hyrja është falas për të gjithë.

Edhe në këtë edicion të festivalit do të mbahen pesë punëtori të ndryshme, të cilat përfshijnë tema si animacion, rrëfim visual, realizimi i filmave dokumentarë, storyboard, energjia e ripërtëritshme dhe qëndrueshmëria, duke u ofruar fëmijëve mundësi për të zhvilluar kreativitetin, bashkëpunimin dhe aftësitë praktike.  

Të kuruara me kujdes dhe shumë dashuri nga Malbora Krajku dhe Idriz Morina, fëmijët do të mësojnë nga artistë dhe profesionistë të njohur të fushës së artit dhe teknologjisë.

Për të gjithë fëmijët që duan të marrin pjesë në punëtoritë e DokuKids, pjesëmarrja sivjet është me pagesë dhe për shkak të interesimit të madh është e rëndësishme që aplikimi të bëhet në kohë. 

DATA E FUNDIT PËR APLIKIM është 22 korrik 2026, deri në orën 23:00.  

Pas aplikimit, pjesëmarrësit do të njoftohen nga ekipi i DokuKids për konfirmimin e pjesëmarrjes së tyre në punëtori.

Çmimet për punëtori janë si më poshtë:

Punëtoritë 1 ditore: 10€

Punëtoritë 2 ditore: 20€

Punëtoritë 3 ditore: 30€

Ne mezi po presim të ju takojmë dhe të krijojmë e imagjinojmë pafund.

Për të aplikuar gjeni këtu: Formën e Aplikimit – DokuKids 

 

Punëtoritë e këtij viti:

1.Puppet Lab - Krijimi i Kukullave dhe Tregimeve të Shkurtra Filmike

Krijimi i Kukullave dhe Tregimeve të Shkurtra Filmike

Puppet Lab është një punëtori kreative për fëmijë (6–9 vjeç) që ndërthur artin e kukullave, tregimin dhe filmin. Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit do të krijojnë kukullat e tyre, do t'u japin karakter, histori dhe zë, e më pas do t'i sjellin në jetë përmes një performance të shkurtër të realizuar kolektivisht. Procesi do të përmbyllet me xhirimin e një videoje artistike që dokumenton imagjinatën, bashkëpunimin dhe krijimtarinë e fëmijëve.

Punëtoria do të zgjas 3 ditë (8-10 gusht) 

2. Qyteti i së Ardhmes

 

Si do të dukej një qytet i ndërtuar me energji të pastër?

Në këtë punëtori praktike njëditore, të organizuar nga Bonevet, fëmijët e moshës 8-12 vjeç do të zbulojnë përmes eksperimenteve dhe ndërtimit praktik se si funksionojnë energjia diellore, energjia e erës dhe hidrogjeni. Duke punuar në ekipe dhe duke përdorur pajisje edukative për energji të ripërtërishme, ata do të projektojnë dhe ndërtojnë një qytet ekologjik funksional, ku teknologjia dhe qëndrueshmëria ecin së bashku.

Përtej argëtimit, pjesëmarrësit do të zhvillojnë kreativitetin, mendimin kritik, bashkëpunimin dhe aftësitë bazë inxhinierike, ndërsa kuptojnë se si zgjidhjet inovative mund të kontribuojnë në një të ardhme me më pak ndotje dhe komunitete më të qëndrueshme.

Punëtoria do të zgjas 1 ditë (8 gusht) 

 

3. NextGen Filmmakers

 

Një punëtori për realizimin e filmave, fotografinë dhe montazhin. Mundësuar nga IPKO në partneritet me Telegrafin, kjo punëtori dy-ditore praktike i prezanton pjesëmarrësit me procesin e plotë të krijimit të një dokumentari të shkurtër profesional, nga zhvillimi i konceptit dhe skenari deri te xhirimet dhe montazhin, duke përdorur si telefona inteligjentë ashtu edhe kamera.  

Punëtoria do të zgjas 2 ditë (8 – 9 gusht)

 

4. Animacioni i stilit Cut-Out: Jepuni jetë rrëfimeve

Cut-Out Animation është një punëtori praktike që i njeh pjesëmarrësit me bazat e animacionit me prerje. Përmes krijimit të personazheve të thjeshtë, ndërtimit të skenave dhe ushtrimeve të animacionit, pjesëmarrësit do të mësojnë si të krijojnë lëvizje, të planifikojnë rrëfimin vizual dhe të kuptojnë procesin e punës në animacion. Punëtoria nxit kreativitetin, bashkëpunimin dhe zhvillimin e aftësive praktike, duke i udhëhequr pjesëmarrësit në realizimin e sekuencave të shkurtra të animuara.

Kohëzgjatja e punëtorisë: 3 ditë (11–13 gusht)

 

5. Praktikoni  Storyboarding: Shndërroni idetë në imazhe

Praktikoni Storyboarding: Shndërroni idetë në imazhe është një seminar praktik për të eksploruar bazat e rrëfimit vizual. Përmes ushtrimeve të thjeshta të vizatimit dhe të menduarit krijues, pjesëmarrësit do të mësojnë se si ta ndajnë një histori në skena, të skicojnë idetë e tyre dhe të kuptojnë rolin e storyboard-eve në krijimin e filmave.  

Ky sesion argëtues dhe interaktiv inkurajon imagjinatën, planifikimin dhe shprehjen vizuale të ideve.

Punëtoria do të zgjas 1 ditë (grupi i parë me 11 gusht, grupi i dytë me 12 gusht)