Më 12 gusht, Kino Lumi organizoi premierën e dy edicioneve të Re:Connect, me të gjitha biletat e shitura, në kuadër të DokuFest. Për kineastët e rinj, kjo ishte një mundësi për ta parë për here të parë punën e tyre në ekranin e madh, pas një procesi që përfshiu punëtori, hulumtim, bashkëpunim dhe mentorim.

Photo: Tughan Anit

Të gjithë regjisorët morën pjesë në një session të hapur me pyetje dhe përgjigje pas shfaqjes, duke ndarë idetë, përvojat dhe vendimet që qëndrojnë pas filmave të tyre. Biseda, u përqëndrua te historitë personale në qendër të filmave, si dhe te pyetjet që ato ngrenë rreth identitetit, përkatësisë, kujtesës, migrimit dhe shtëpisë.

I zhvilluar nga DokuFest dhe Kino Kosova, Re:Connect bashkon të rinj nga Kosova dhe Zvicra përmes krijimit të përbashkët të filmave. Programi nisi me një pyetje: si mund ta eksplorojnë të rinjtë marrëdhënien e tyre me Kosovën dhe me njëri tjetrin, sipas mënyrës së tyre?

Për pjesëtarët e diasporës kosovare në Zvicër, kjo marrëdhënie mund të formësohet nga historitë familjare, gjuha, vizitat verore dhe kujtimet që përcillen nga një brez te tjetri. Për të tjerët, ajo mund të jetë më e largët ose më komplekse. Pjesëmarrësit që jetojnë në Kosovë sjellin gjithashtu perceptimet e tyre për Zvicrën dhe diasporën të formësuara nga migrimi, lidhjet familjare dhe pritshmëritë për jetën jashtë vendit.  

 

 

Re:Connect u jep pjesëmarrësve hapësirën për t’i vënë një pikëpytje këto ide dhe për t’i eksploruar ato përmes imazheve, vendeve, kujtimeve dhe takimeve. Krijimi i filmave së bashku nënkupton të dëgjosh njëri tjetrin, të gjesh gjuhën e përbashkët mes dallimeve dhe të marrësh vendime krijuese si grup.  

Edicioni i parë ishte një projekt pilot, i cili bashkoi të rinj nga Kosova dhe diaspora kosovare në Zvicër. Si rezultat u realizuan tre dokumentarë të shkurtër: Mother – Majka, Brenda Jashtë – Inside Out dhe SHP(I)JA, të cilët trajtojnë familjen, migrimin, kujtesën, shtëpinë dhe përkatësinë.  

Edicioni i dytë u mbështet në këtë përvojë dhe e zgjeroi programin duke u hapur për të rinj me prejardhje të ndryshme kulturore. Gjashtëmbëdhjetë pjesëmarrës nga Kosova dhe Zvicra kaluan nëpër fazat e ndryshme të realizimit të një filmi, nga hulumtimi dhe zhvillimi i tregimit, deri te xhirimi, zëri dhe montazhi.  

Në të dyja edicionet, programi ka realizuar deri tani njëmbëdhjetë filma. Edhe pse historitë ndryshojnë shumë nga njëra tjetra, ato ndajnë një interest ë përbashkët për mënyrën se si njerëzit e kuptojnë prejardhjen e tyre, vendin ku ndihen se përkasin dhe mënyrën se si ndjenja e shtëpisë mund të ndryshojë përmes distancës, marrëdhënieve dhe përvojës.  

Të mësosh se si të realizosh këta filma do të thotë gjithashtu të mësosh se si t’i qasesh me kujdes jetës së një personi tjetër. Pjesëmarrësit hulumtojnë dhe zhvillojnë historitë e tyre, duke menduar njëkohësisht për përgjegjësinë që vjen me përfaqësimin e dikujt në ekran. Puna në grupe të përziera nënkupton se idetë ndryshojnë pashmangshmërisht. Një perspective tjetër mund ta orientojë historinë në një drejtim të ri, ndërsa një takim i papritur mund ta riformësojë fillmin. Pjesëmarrësit duhet t’i përballojnë dhe t’i marrin këto vendime së bashku.  

Krahas aftësive praktike në tregimtari, kamerë, zë dhe montazh, ata fitojnë përvojë në ndarjen e përgjegjësive dhe në punën me njerëz, perspektivat e të cilëve mund të ndryshojnë nga të tyret. Këto marrëdhënie mund të shndërrohen në miqësi ose të çojnë në bashkëpunime edhe pas përfundimit të programit.  

 

 

Shfaqjet publike janë pjesë e këtij procesi të të nxënit. Përmes DokuFest në Prizren dhe programit të Kino Kosova në Bernë, filmat arrijnë te publiku nա Kosovë dhe në Zvicër. Krijuesit e filmave kanë mundësinë të dëgjojnë se si njerëzit reagojnë ndaj punës së tyre, përfshirë edhe ato aspekte me të cilat ata e gjenë veten, bazuar në përvojat e tyre personale. Në Kino Lumi, sesioni me pyetje dhe përgjigje u dha atyre pikërisht këtë mundësi, duke i hapur historitë e filmave për njerաzit që kishin ardhur për t’i parë.  

Re:Connect 2026 – Eksplorimi i Identitetit përmes Realizimit Bashkëpunues të Filmit mbështetet nga Movetia dhe Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.