July 30, 2026
Përgjatë gjithë ekzistencës së DokuFest-it, muzika ka qenë një prani e pandërprerë. Disi, në një mënyrë apo një tjetër, nga Marashi te kafenetë e ndryshme, nga Kalaja te Andrra Stage, DokuNights ka mbjellë farat e veta. Premtimi ka qenë gjithmonë i njëjtë: ta sjellim botën në Prizren, të nxitur nga dëshira e madhe për të ndërtuar një botë aq të gjerë sa netët të mund të strehojnë një udhëtim të tërë mrekullie.
Vite më parë, këto net muzikore lindën natyrshëm, me skena të vogla, shpesh të improvizuara, me orë të tëra përkushtimi dhe zgjidhjesh logjistike që sollën në Prizren artistë vendas dhe ndërkombëtarë. Të gjitha këto ngjarje formësuan frymën e pakrahasueshme të DokuNights, duke e bërë atë atë që është sot.
Teksa festojmë edicionin tonë të 25-të, DokuNights rikthehet te rrënjët, në Andrra Stage. Katër net për të gjithë, duke zgjeruar hapësirën tonë të takimit me njerëz të rinj dhe duke ndarë të njëjtat orë me njëri-tjetrin.
DokuNights ka qenë gjithmonë një flluskë, një përrallë e vogël në zemër të maleve mijëravjeçare. Një hapësirë ku ritualet njerëzore ecin krah për krah me natyrën dhe me njëri-tjetrin. Një hapësirë ku frekuencat e tingullit na lidhin me shpirtin tonë dhe na kujtojnë se jemi pjesë e një misioni më të madh në këtë botë.
DokuNights ka qenë gjithmonë vendi ku kujtimet tona qëndrojnë gjallë dhe ndërthuren me kujtesën kolektive; një arkiv i gjallë i bashkësisë, gëzimit, dashurisë dhe gjithçkaje që na bën njerëzorë.
Programi i këtij edicioni lundron nëpër net duke prekur shumë zhanre. Nis me rrënjët e kujtimeve të përbashkëta përmes tingujve të disko-s klasike me Don't Fk with Disco**, të pasuar nga Jackal, vazhdon me poezinë e hip-hop-it dhe lirika avangarde.
Në qendër të programit janë tingujt që nuk kanë nevojë për fjalë për të na çuar së bashku në një gjendje më të lartë ndërgjegjeje. Konduku, Carl H dhe Bufiman eksplorojnë botën e tingujve që kanë qenë gjithmonë pranë njerëzimit, ndërsa mbyllja sjell ndërthurjen e muzikës më të vjetër popullore shqiptare me territore të tjera tingëllore që ndajnë të njëjtin qëllim: t'i mbajnë njerëzit bashkë. Kjo natë përmbyllëse bëhet e mundur nga familja Public Display of Affection.
Me padurim presim t'ju shohim në pistën e vallëzimit për ta festuar së bashku këtë edicion të DokuFest-it.