August 15, 2026
DokuFest XXV ka shpallur fituesit e kategorive garuese të edicionit të 25-të të festivalit, duke vlerësuar filma që gjatë ditëve të festivalit u dalluan për qasjet e tyre artistike, fuqinë narrative dhe mënyrat e guximshme për të trajtuar çështje të kujtesës, rezistencës, identitetit, të drejtave të njeriut dhe marrëdhënies sonë me botën përreth.
Juritë e kategorive garuese kanë përzgjedhur filmat fitues dhe disa filma tjerë të lartëvlerësuar të këtij edicioni.
BALKAN DOX
Filmi fitues — Balkan Feature Dox
As the Spring Arrives, Water Recalls the Nomads - Merve Dilşad Aladağ
Të ecësh nëpër këtë tokë do të thotë ta njohësh atë. Përmes gjuhës që vetëm kinemaja e mundëson, dy hulumtues takohen në kapërcyell kohës. Të udhëhequr nga përkushtimi dhe vëmendja ndaj njerëzve kulturën e të cilëve kërkojnë ta kuptojnë, ky takim e shndërron një peizazh të zhveshur në një rrëfim të fuqishëm mbi mungesën dhe rezistencën. Në vend se të vajtojë atë që është humbur, regjisori i rikthen materialet arkivore në jetë dhe u jep atyre një rol të ri, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së tyre. Kështu, vetë filmi shndërrohet në një arkiv, duke ruajtur dhe nderuar kujtesën e kësaj toke.
Mirënjohje e veçantë — Balkan Feature Dox
The Thing to Be Done - Srđan Kovačević
Punëtorët, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre, portretizohen me një kujdes dhe përkushtim të veçantë. Mes të qeshurave, lotëve, sfidave dhe solidaritetit, hapësira e punës shndërrohet në një teatër betejash për të drejta dhe dinjitet. Këngët e rezistencës që e shoqërojnë filmin e përforcojnë dimensionin e tij politik dhe emocional. Me një energji dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, filmi ofron një vëzhgim të drejtpërdrejtë të rezistencës dhe na kujton të mos ndalemi së luftuari.
Filmi fitues — Balkan Short Dox
Towards Where to Breathe - Stefan Pavlović
Ekziston një moment i shkurtër pasi nxjerr frymë dhe përpara se të marrësh frymë sërish, ajo hapësirë e vogël mes dy frymëmarrjeve. Është një çast kur mendimi zhduket dhe bashkë me të, edhe gjuha humbet përkohësisht. Filmi të cilit ia ndajmë çmimin Balkan Short Dox nis pikërisht në këtë hapësirë, duke e lënë veten të lundrojë përmes kujtimeve që zgjon elementi i ujit. Sekuencat e tij në shirit videokasete përsëriten, sikur vetë gjuha t'i pengojë ato të rrjedhin aq lirshëm sa do të donin. Udhëtimi poetik i regjisorit është një kërkim ndaj kësaj rrjedhe, dhe si rezultat lind një film mbi kujtesën e ndjenjave, figurën e atit dhe fjalët që përdorim për t'u dhënë kuptim të dyjave. Në fund, kujtesa mund më në fund të marrë frymë.
INTERNATIONAL FEATURE DOX
Filmi fitues
From Dawn to Dawn - Xisi Sofia Ye Chen
U prekëm thellësisht nga finesa dhe hiri artistik i këtij filmi. Me një ekuilibër të ndjeshëm mes intimitetit dhe përmbajtjes, regjisorja na fton në botën e veçantë e të papritur të familjes së saj. Ajo u jep frymë kompleksitetit, thellësisë dhe kundërshtive të personazheve e situatave, ku kaosi i jetës, spiritualiteti, dhuna, dhimbja, urtësia dhe një butësi e thellë bashkëjetojnë natyrshëm. Ky film i ndërtuar me mjeshtëri u jep hapësirë atyre që shpesh mbesin në margjinat e shoqërisë, duke ofruar një qasje ndryshe ndaj historisë së migrimit. Filmi, me skenën e tij përfundimtare epike, na la në një gjendje emocionale që nuk do të zbehet lehtë.
INTERNATIONAL SHORT DOX
Filmi fitues
Normal Planet - Ekiem Barbier, Guilhem Causse, Quentin L'helgoualc'h
“Normal Planet” është një punë e mencur dhe lozonjare kinematografike, ku animacioni e pasuron realitetin e përditshëm pa iu mbivënë.
Që fishkëllima e parë një bretkose gazmore, e cila, siç zbulojmë është një roje sigurie në muze, filmi na prezanton me një varg personazhesh bashkëkohorë dhe qesharak që ndërveprojnë me artefaktet historike të një bote që nuk është më.
I ngrohtë dhe inovativ, filmi gjen humorin në distancën mes së kaluarës dhe së tashmes, duke mbajtur gjithnjë në qendër dimensionin njerëzor.
HUMAN RIGHTS DOX
Filmi fitues
The Clearing - Sabine Groenewegen
Përmes një hulumtimi të jashtëzakonshëm dhe një pune të fuqishme artistike, filmi nxjerr në dritë një padrejtësi të thellë historike dhe një kapitull të heshtur të historisë koloniale holandeze: shfrytëzimin dhe skllavërimin sistematik seksual të grave nga kolonizatorët holandezë në Sumatra të Indonezisë.
Përmes shqyrtimit të kujdesshëm të dëshmive arkivore dhe analizës kritike të censurës dhe fshirjes së historisë të mbështetur nga shteti, filmi tregon se si pushteti kolonial shfrytëzoi trupat e grave, kontrolloi mënyrën se si u shkrua historia, heshti përvojat e tyre dhe i fshiu ato nga kujtesa kolektive.
Në këtë kuptim, filmi bëhet një akt i rëndësishëm i dekolonizimit të kujtesës historike. Ai sfidon narrativat koloniale që kanë përcaktuar se vuajtjet e kujt kujtohen, zërat e kujt ruhen dhe njerëzimi i kujt pranohet.
Për punën e saj të palodhur hulumtuese dhe për një film të ndërtuar me mjeshtëri, të përshkuar nga dhimbja dhe poezia, jemi krenarë ta nderojmë The Clearing të Sabine Groenewegen.
Mirënjohje e veçantë
A City in the Forest - Lev Omelchenko dhe Nolan Huber
Me frymën e tij të jashtëzakonshme luftarake dhe energjinë e solidaritetit, ky film ndjek taktikat e ndryshme dhe të palodhura që përdorin aktivistët për të ndalur ndërtimin e një qendre të militarizuar për trajnimin e policisë në një pyll të Atlantës.
Përballë brutalitetit policor dhe shtypjes së demokracisë, filmi përcjell gëzim, kreativitet dhe bukuri, duke u shndërruar njëkohësisht në një udhërrëfyes të nevojshëm për organizimin komunitar dhe në dëshmi të fuqisë së veprimit kolektiv përballë shtypjes shtetërore.
Për këtë homazh të fuqishëm ndaj një beteje që vazhdon, i cili na kujton se rezistenca është një e drejtë dhe njëkohësisht një përgjegjësi kolektive, jemi krenarë t’i japim një vlerësim të lartë A City in the Forest nga Lev Omelchenko dhe Nolan Huber.
GREEN DOX
Filmi fitues
Krakatoa - Carlos Casas
Përmes kërkimit mbi mundësitë që ofron vetë materia e kinemasë, ky film na tërheq me një bindje të jashtëzakonshme në një udhëtim fizik e tokësor drejt qendrës së Tokës. Me vendim unanim, Çmimi Green Dox i edicionit të 25-të të DokuFest i jepet Krakatoa nga Carlos Casas.
INTERNATIONAL SHORTS
Filmi fitues
Kleptomania - Jingkai Qu
Një portret i qetë, por rrëqethës, i dhunës që depërton gradualisht në jetën e përditshme të një fëmije, i drejtpërdrejtë, diskret dhe i frikshëm në normalitetin e tij. Për qasjen e vendosur dhe të durueshme ndaj një kujtimi që as nuk e dinim se e kishim varrosur, Çmimi për Filmin më të Mirë të Shkurtër Ndërkombëtar i jepet Kleptomania.
Mirënjohje e veçantë
Venezia Diorama - Nicolas Piret
"Një film i bëri përshtypje jurisë duke shkëlqyer në rrëfimin e pastër vizual. Teknikat e animacionit të punuara me dorë marrin një dimension të ri përmes trajtimit të kuadrit si një skenë fizike, shumë-shtresore dhe në miniaturë, e ndërtuar me tekstura të detajuara lapsi. Vlerësim i lartë i jepet Venezia Diorama nga Nicolas Piret.”
NATIONAL
Filmi fitues
Searching for Poetry - Lorin Terezi
Dëshirojmë të shpërblejmë një film që i qaset historisë përmes portretit intim të një personazhi që përpiqet të rikthejë atë që i është marrë. Një film që e trajton censurën dhe kujtesën me ndershmëri, humor të butë dhe në mënyrë njerëzore.
Duke refuzuar të largohet nga personazhi i tij, filmi ndërton një kërkim të brishtë, këmbëngulës, prekës dhe herë-herë absurd për të gjetur prova konkrete që të rikthej atë që nuk ka harruar asnjëherë.
Çmimi i Jurisë Kombëtare i jepet Searching for Poetry nga Lorin Terezi.”
AUDIENCE AWARD
Filmi fitues
The Beauty of the Donkey - Dea Gjinovci
The Beauty of the Donkey, me regji nga Dea Gjinovci, u shpall fitues i Çmimit të Publikut, duke marrë vlerësimin më të lartë mesatar nga publiku, 4.75 nga 5. Filmi ndërthur kujtesën, mërgimin dhe rikthimin në vendlindje, duke ndjekur përpjekjen e një babai dhe vajzës së tij për të rindërtuar një botë të fëmijërisë që nuk ekziston më.
Distribution Award
Filmi Fitues
Dance - Hana Bucalija
Dance nga Hana Bucalija u shpall fitues i Çmimit të Distribucionit. Gjatë arratisjes nga lufta, Uka tetëmbëdhjetëvjeçar dhe familja e tij bëjnë një ndalesë të fundit për të marrë Emën, vajzën që ai dashuron. Ajo i pret si një nuse gati për të shkëmbyer unazat, por njëra unazë mungon.
EFA NOMINATION
Filmi i Nominuar
Tarik - Adem Tutić
Tarik nga Adem Tutić u shpall si nominimi i DokuFest i Çmimit European Film Academy's Short Film - Prix Vimeo award. Pasi përjashtohet nga shkolla në qytetin e tij të lindjes, Tariku detyrohet të largohet nga nëna e tij beqare, Marija, dhe të shpërngulet në Novi Pazar për të jetuar me babanë e tij, Safet, dhe familjen e tij.
Filmat e vlerësuar në DokuFest XXV pasqyrojnë përkushtimin e festivalit për të sjellë në pah zëra të guximshëm kinematografikë dhe vepra që sfidojnë, vënë në pikëpyetje, dokumentojnë dhe rishikojnë realitetet përreth nesh. Nga historitë intime personale te përpjekjet kolektive dhe çështjet urgjente politike, përzgjedhja e këtij viti dëshmon edhe një herë fuqinë e kinemasë për të ruajtur kujtesën, për t’u dhënë zë historive të patreguara dhe për të frymëzuar rezistencën.