16 August, 2022


Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, të mbajtur në kinemanë e hapur Lumbardhi në Prizren të shtunën në mbrëmje, në prani të personaliteteve të shumta, të ftuarve, jurive, sponsorëve dhe partnerëve të festivalit, u shpallën fituesit e edicionit të 21-të të DokuFest.

109 filma ishin në garë për çmime në 8 programe konkurruese të festivalit dhe u vlerësuan nga një grup jurish të përbërë nga profesionistë të filmit dhe aktivistë të të drejtave të njeriut nga e gjithë bota. Një përzgjedhje prej dymbëdhjetë filmash konkurruan gjithashtu për çmimin e publikut.

Festivali 9-ditor solli rikthimin në formatin e plotë fizik, me shfaqjet e 270 filmave në 12 kinema në të gjithë qytetin, me seminare, panele, debate, ligjerata, ekspozita dhe një seri aktesh live që panë rikthimin e programit të muzikës, DokuNights, duke sjellë në Prizren koncerte nga artista sikur Hercules and Love Affair dhe Edona Vatoci, si dhe performanca të DMX Krew, Sega Bodega dhe Detroit in Effects, dhe duke e kthyer kështu edhe një herë qytetin e Prizrenit në një qendër ku festohet kinemaja, muzika dhe artit.

Çmimi fitues i garës të dokumentarëve të Ballkanit iu dha Srdjan Kovačević-it për filmin e tij Factory to the Workers; çmimet tjera përfshinin garën e dokumentarëve ndërkombëtarë të gjatë dhe të shkurtër, atë të dokumentarëve për të drejtat e njeriut si dhe dokumentarëve të mjedisit, çmimi më i mirë i filmit të shkurtër dhe çmimi më i mirë i flimit kombëtar, si dhe filmi më i mirë i dokumentarëve ne kategorinë TRUTH. Krahas tyre u ndanë edhe çmimi i audiencës, çmimi i distributorit dhe për herë të parë kandidatura e DokuFest për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtër evropian në European Film Awards, si dhe një “Grant i Valës të Re” në shumën prej 10.000 euro.

Listën e plotë të çmimeve, duke përfshirë deklaratat e jurisë, mund ti gjeni më poshtë. 

GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT
Juria: Marija Zidar, Allesandro Stellino dhe Melis Behlih

Filmi fitues: Factory to the Workers nga Srđan Kovačević

Deklarata nga juria: 
Juria zgjodhi unanimisht një dokumentar që zbulon dinamikën komplekse dhe universale të një mikrokozmosi ku solidariteti njerëzor sfidohet nga forcat brutale shoqërore, duke përdorur një qasje të ndjeshme dhe kamerë të saktë vëzhguese. Çmimi Balkan Dox shkon për “Factory to the Workers” nga Srđan Kovačević.

 

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMBËTARË TË GJATË
Juria: Joost Dammen, Daniella Shreir dhe Niklas Engstrøm

Filmi fitues:
Dry Ground Burning nga Adirley Queirós & Joana Pimenta

Deklarata nga juria:
Juria u fiksua menjëherë pas pamjeve hapëse të kontrolluara dhe plot besim të filmit. Këto dokumente të errëta të punës dhe kriminalitetit krijojnë një hapësirë të paqartë, "hibride" që bie midis ose, më mirë të themi, gërsheton "trillimin" dhe "dokumentarin", por shumë shpejt ky dallim bëhet më pak i rëndësishëm, madje edhe brenda kontekstit të një festivali të filmit dokumentar. Kjo sepse angazhimi që filmi shfaq në nivelin mikro dhe makro me të tashmen e një vendi thellësisht të ndarë nuk mund të ishte më real. Duke jetuar në margjinat e infrastrukturës së rrënuar sociale dhe ekonomike të Brazilit, "kasti" i “Dry Ground Burning” i protagonistëve tejet tërheqës dhe idiosinkratik trajton dëshirën, seksualitetin dhe familjen kokë më kokë, ndërsa bën përpjekje utopike për një të ardhme në të cilën burgjet reformohen ose shfuqizohen dhe ku punëtorët zotërojnë mjetet e prodhimit. Këto "tema" janë komplekse dhe mjaft të mëdha për të merituar disa filma, por guximi i mjeshtërisë së kineastëve na bëri të dëshironim të shkonim kudo që ata na shpien, nga periferitë ekonomike dhe gjeografike të Brazilias deri te mitingjet delirante në mbështetje të Bolsonaros në zemër të qytetit. Ne ishim unanim në vendimin tonë për t'i dhënë Adirley Queirós dhe Joana Pimenta çmimin për Dokumentarin më të Mirë të Metrazhit të Gjatë në Garën Ndërkombëtare.

 

Çmimi special i jurisë:           
The Eclipse nga Nataša Urban

Deklarata nga juria: 
Ishte e pamundur të ulesh për ta parë këtë film në Kosovë – në një audiencë njerëzish, pavarësia e të cilëve u kërcënua kohët e fundit, edhe një herë, nga një vend që për një dekadë e gjysmë ka refuzuar të njohë pavarësinë e tij – pa u ndjerë   menjëherë i shqetësuar dhe i tensionuar. Por Nataša Urban e përputhi dhe e ngriti këtë tension, me hetimin e saj të papërkulshëm ballafaques me "anën tjetër". Filmi "The Eclipse" lundron me mjeshtëri një histori të gjerë, kronologjike të Serbisë, vendit që ajo ka lënë pas dhe një hetim të anëtarëve të familjes së saj që zënë pozicione që variojnë nga mohimi te zemërimi ekstrem ndaj veprimeve të kombit të tyre. Na bëri përshtypje besimi me të cilin ishin thurur këto fije, si vizualisht ashtu edhe në montazh, si dhe forca e saj pedagogjike, por jo didaktike. Është mëkat që personazhi i këtij filmi është edhe një herë kaq i lidhur me çështjen, por pyetjet që Urban i bën për kulturën e kujtesës dhe detyrimin që një komb ta përsëris janë dhe do të jenë gjithmonë me rëndësi globale.

 

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMBËTARË TË SHKURTËR
Juria: John Canciani, Maryam Tafakory and Tevfik Rada

Filmi fitues:
Haulout by Evgenia Arbugaeva & Maxim Arbugaev

Deklarata nga juria:
Filmi Haulout nga Evgenia Arbugaeva dhe Maxim Arbugaeva krijon një atmosferë befasuese por edhe kërcënuese. Filmi magjeps përmes vëzhgimit të përmbajtur të kamerës dhe dizajnit mahnitës të zërit. Regjisorët ngadalë dhe butësisht na drejtojnë deri në pikën ku hapin një derë drejt botës duke krijuar një moment të bukur kinematografik. Duke hyrë në një përvojë personale të një njeriu, ne përballemi me një fenomen që ka ndikim global. Përzierja e akorduar mirë e elementëve të ndryshëm e bindi jurinë njëzëri.


Çmimi special i jurisë:
I am Trying to Remember nga Pegah Ahangarani

Deklarata nga juria:
FIlmi I Am Trying to Remember paraqet një eksplorim arkivor poetik për të zbuluar praninë fantazmë të Gholamit, fytyra e të cilit është e padukshme; i mjegulluar, i gërvishtur, i djegur dhe i kryqëzuar sikur të mos ishte kurrë pjesë e historisë. Përmes shpalosjes poetike të filmit, fytyra e Gholamit fillon të merr formë ku mësojmë se një histori kolektive ku ai bënte pjesë, u ndërpre me dhunë. Në një mënyrë tejet të jashtëzakonshme, filmi i Ahangaranit kombinon pamjet e qeta fotografike me imazhet lëvizëse të turmave të stuhishme; momentet nga tubimet familjare me ndrydhjen e ëndrrave kolektive.

 

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR
Juria: Frida Mårtensson, Samir Ljuma and Linn Löffler

Filmi fitues:
Will My Parents Come to See Me nga Mo Harawe

Deklarata nga juria:
Çmimi i shkon një filmi që portretizon me ndjeshmëri dhe saktësi jetën në rrethana ekstreme. Kinematografia e akorduar, ritmi dhe aktrimi delikat ndërton tension shqetësues dhe na detyron të përballemi me të pamundurën. Kjo histori e treguar me mjeshtëri dhe këmbëngulësi është deklaratë e fuqishme kundër dënimit me vdekje dhe për njerëzimin. Fituesi i filmit më të mirë ndërkombëtar me metrazh të shkurtër është Will my Parents Come to See Me nga Mo Harawe.

 

Çmimi speical i jurisë:
Love and Revenge nga Anhar Salem

Deklarata nga juria:
Juria vendosi t'i japë çmimin special një filmi që me formën e tij inovative mjegullon kufirin midis botës digjitale dhe asaj fizike. Me një zë të tijin të fortë dhe një ton absolut, filmi eksploron identitetin në epokën digjitale dhe sesi strukturat shtypëse vazhdojnë të sfidohen nga krijimtaria dhe kërkimi i lirisë. Çmimi special i jurisë shkon te Love & Revenge nga Anhar Salem.

GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Juria: Rina Kika, Pieter-Paul Mortier dhe Heleen Gerritsen

Filmi fitues:
Myanmar Diaries nga The Myanmar Film Collective

Deklarata nga juria:
Juria është impresionuar nga cilësia dhe shpirti i të gjitha veprave në kategorinë e Të Drejtave të Njeriut. Filmi fitues është Myanmar Diaries, realizuar nga The Myanmar Film Collective - një film kolazh i guximshëm dhe zemërthyes i bërë nga disa zëra anonimë që ndajnë një shpirt thellësisht të lënduar, por të pathyeshëm. Një film si një klithmë dhimbjeje, një klithmë beteje, një thirrje për ndihmë dhe një thirrje për t'u dëgjuar dhe parë. Shtypja e parë këtu është e skajshme dhe çnjerëzore, rezistenca vjen në shumë forma dhe ngjyra. Format kinematografike, formatet dhe montazhi janë të kombinuara me mjeshtëri në një përpjekje këmbëngulëse për të kapërcyer këtë moment, me shpresë shumë të shkurtër në historinë e Mianmarit, por shumë nga njerëzit në këtë film, të frikësuar dhe trima të paimagjinueshëm njëherësh, do të qëndrojnë me ne përgjithmonë.
 

 

Çmimi speical i jurisë:
Children of the Mist nga Ha La Diem
The New Greatness Case nga nga Anna Shishova

Deklarata nga juria - Children of the Mist:
Kërcënimet e martesës së fëmijëve, rrëmbimit të nuses, varfërisë dhe alkoolizmit janë gjithmonë aty për Di-në, protagonisten 13-vjeçare të Children of the Mist. Por megjithatë regjisorja arrin të fiksojë edhe momente të gëzueshme dhe më të lehta në jetën e saj. Jeta familjare dhe puberteti në të gjithë kompleksitetin e tij midis traditës dhe modernitetit janë në thelb të këtij portreti intim, të vendosur mes bukurisë natyrore dhe të harlisura të fushave të orizit në Vietnamin e Veriut. Ky debutim mbresëlënës me metrazh të gjatë sigurisht që meriton një çmim special të jurisë.

Deklarata nga juria - The New Greatness Case
Ky film tepër i guximshëm dhe i fuqishëm tregon historinë e të rinjve rusë që arrestohen dhe akuzohen për komplot për të rrëzuar qeverinë në bazë të provave të sajuara. Regjisorja analizon dhe përshkruan shkëlqyeshëm goditjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së tubimit në Rusi. Ajo tregon gjithashtu format e ndryshme eksplicite dhe implicite të dhunës në një vend ku shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut janë normë dhe jehona e shtypjeve staliniste ndihet në jetën e përditshme. Juria ndjeu fort se -veçanërisht gjatë luftës së agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës- ky film meriton një çmim special të jurisë

 

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT
Juria: Jelena Maksimović, Matthieu Darras and Rachel Caplan

Filmi fitues:
Foragers nga Jumana Mana

Deklarata nga juria:
Regjisorja Jumana Manna krijon një lidhje intime midis gjendjes së vështirë të personazheve të saj dhe audiencës, të nxjerrë në pah nga peizazhet dhe tekstet medituese dhe përdorimi i ndjeshëm i intervistave. Kjo është një histori e nevojshme për atë se si lidhja midis njerëzve dhe natyrës nuk mund të thyhet lehtë.
Çmimi i Garës të Dokumentarëve të Mjedisit fuqizohet nga Fondacionit Rockefeller Brothers.

 

GARA E DOKUMENTARËVE "TRUTH"
Juria: Wim Vanacker, Diana El Jeiroudi dhe Edhem Fočo

Filmi fitues: 
The Killing of a Journalist nga Matt Sarnecki

Deklarata nga juria:
Gjatë gjithë javës, jemi përballur me filma me tema të rëndësishme dhe realitete sfiduese, ku secili meriton qendrën e vëmendjes. Ata filma na informuan, na prekën, na tronditën dhe na përkujtuan atë që bëjmë dhe duhet të përfaqësojmë. Një film na bëri të reflektojmë thellë mbi nocionin e lirisë së fjalës dhe aq më tepër mbi eminencën dhe qëndrimin e të folurit të së vërtetës para pushtetit. Ne u bëmë pjesë e një hetimi që kërkon të vërtetën dhe drejtësinë, duke na mbajtur të lidhur dhe prekur nga personazhet dhe duke u gozhduar pas tyre në luftën dinjitoze për të kërkuar një të vërtetë të pamohueshme. Çmimi për filmin më të mirë të garës së Filmave për të Vërtetën shkon për një punë të palodhur, një përvojë shkurajuese dhe për vendosmërinë frymëzuese të atyre që në mënyre të papërkulshme e thonë të vërtetën ndaj pushtetit; "The Killing of a Journalist" nga Matt Sarnecki.

 

GARA KOMBËTARE
Juria: Yll Uka, Carla Vulpiani dhe Erenik Beqiri

Filmi fitues: 
Ka me kalu nga Flonja Kodheli

Deklarata nga juria:
Një portret intim familjar që nxjerr në pah gjendjet emocionale të lidhura me humbjen dhe zinë me butësi dhe kujdes. Filmi eksploron një traumë të tashme duke e ndërthurur atë me të kaluarën dhe historinë pa humbur zotërimin e rrëfimit, dhe mbështetet nga një performancë e shkëlqyer aktrimi dhe kimie mes protagonistëve, duke shënuar një debutim solid regjisorial. Filmi më i mirë në Garën Kombëtare shkon për "Ka Me Kalu" nga Flonja Kodheli.

 

ÇMIMI I PUBLIKUT
Pas numërimit të votave, "Love, Deutschmarks & Death" nga Cem Kaya është shpallur fitues i çmimit të publikut të festivalit.
Çmimi i Publikut është dhënë nga ProCredit Bank.

 

ÇMIMI DISTRIBUTOR, i dhënë nga Radiator IP Film Sales nga Belgjika, u fituna nga filmi i Konkursi Kombëtar, "Shpija" i Flaka Kokollit.

 

GRANTI I VALËS SË RE, në vlerë prej 10.000 eurosh për realizimin e një filmi të shkurtër, i dhënë nga DokuFest dhe i mbështetur nga SIDA dhe Ambasada Suedeze në Kosovë, iu nda projektit të titulluar Transmission nga Flutura Balaj.