Edhe këtë vit vazhdojmë traditën e shtyrjes së kufinjve dhe nxerrjes në pah të tingujve që formësojnë skenën e muzikës underground të viteve të fundit. Këtë vit, bëhemi pjesë e 10 vjetorit të Sound Metaphors, për të festuar një dekadë të besimit në vinil, pista vallëzimi, frymën e DIY dhe komunitetin. Më 9 gusht, DokuFest mirëpret tre artistë që kanë lënë gjurmë në zhanret e tyre, Sound Metaphors, Sleep D dhe Genc Elezaj, një natë ku muzika shndërrohet në përvojë të thellë dhe transformuese. Në line-up: tre akte, dy kontinente, një dashuri.

SOUND METAPHORS DJs 

(Aka) Castro dhe Nemo nuk janë thjesht DJ — ata ndërtojnë botë më vete. Gjatë këtyre dhjetë viteve, ata kanë kthyer Sound Metaphors në një platformë me reputacion global.  Më shumë se një dyqan vinylesh, është një rrjet etiketash muzikore, një hapësirë për krijim ,një univers për remixe dhe ide, dhe një laborator për sisteme zanore të personalizuara. Është një vend ku idetë marrin formë dhe ku muzika e klubeve trajtohet me kujdesin e një vepre arti. Setet e tyre janë përmbledhja e kësaj energjie. Zhanre pa kufinjë, shumë materiale të papublikuara plot ritëm. Kjo dyshe kanë luajtur edhe 18 orë pa pushim në vende si Berghain apo Cocktail D’Amore. Por s’ka rëndësi sa zgjat apo ku je, për ta: pista është e shenjtë dhe muzika duhet të lëvizë në çdo mënyrë...emocionalisht, fizikisht, mendërisht. 
 

 SLEEP D (butter session)

Nga ana tjetër e botës vijnë Sleep D, të cilët kanë ndërtuar një prej trashëgimive më emocionuese në kulturën e nëndheshme të klubeve. Të rritur në Naarm/Melbourne, Corey dhe Maryos janë miq nga fëmijëria dhe kanë prejardhje nga Iraku dhe Malta. Corey Kikos dhe Maryos Syawish drejtojnë label-in Butter Sessions që ka sjellë disa nga tingujt më të rëndësishëm në dekadën e fundit në skenën australiane. Setet e tyre janë hipnotike, të lira dhe me plot lëvizje. House, ambient, acid, ritme dub-i, tinguj bush doof, të gjitha të përziera natyrshëm. Përtej vinilëve të tyre, ata janë të njohur për rezidencat dhe performancat live që i shtyjnë kufijtë e asaj si ndihet muzika rave.

 

 GENC ELEZAJ 

Për ata që e njohin, Genci nuk ka nevojë për prezantim. Për ata që nuk e njohin, kjo është nata e duhur. Një figurë kyçe e skenës së Kosovës, Genci kalon mes zhanreve dhe disiplinave si askush tjetër. Si DJ, është i njohur për mënyrë sesi ndërton setet dhe të rrëmben vëmendjen pa e kuptuar. Por bota e Gencit shkon përtej klubeve. Ai ka kompozuar edhe për teatër eksperimental, vallëzim dhe art performativ , duke sjellë ndjeshmëri dhe tregimtari në çdo punë që bën. Tingulli i tij është kinematik, emocional, i thellë. Ai nuk e vendos thjesht një këngë, ai të udhëheq. Së bashku, këto tre akte premtojnë një natë që nuk është vetëm për muzikën, por për qenë të pranishëm. Për momentet që i mbajmë me vete gjatë, edhe pasi dritat të jenë fikur.

Çmimi i zakonshëm i biletës për këtë performancë është 10 euro, por nëse keni një llogari/kartelë në bankën Procredit, mund të blini biletën vetëm me 7 euro.