01 October, 2024


Pas përfundimit të suksesshëm të dy kampeve të kaluara, ku mbi 26 pjesëmarrës entuziastë na u bashkuan për dy javë, ne jemi të lumtur të ju njoftojmë se aplikimet janë sërish të hapura.

Kampet e kaluara ishin të mbushur me energji, kreativitet dhe njohuri të reja, duke sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme nga e gjithë Kosova. Angazhimi dhe dëshira e tyre për të ndërtuar miqësi të reja dhe për të mësuar nga njëri-tjetri na frymëzuan të vazhdojmë me punën tonë për të krijuar hapësira të tilla bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.

DokuFest ka hapur aplikimet për kampin e fundit të projektit "Stories We Tell." Ftojmë të rinj nga të gjitha komunitetet e Kosovës, të moshës 18-25 vjeç, të marrin pjesë në edicionin e tretë të këtij kampi, i cili synon të bashkojë njerëz nga kultura të ndryshme për të ndarë historitë dhe përvojat e tyre. Ky projekt frymëzues financohet nga iniciativa "SMART Balkans" – Shoqëria Civile për Shoqëri të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor, e financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

“Stories We Tell” është një mundësi unike për të rinjtë që të angazhohen në një ambient mikpritës, ku mund të ndajnë historitë e tyre, të sfidojnë stereotipet dhe të eksplorojnë rolin e fuqishëm të medias dhe filmit si mjet për ndryshim shoqëror.

 

Gjatë kampit, ju presin:

• Seanca për krijimin e videove: Mësoni artin e rrëfimit përmes videos.

• Ligjërata interaktive: Zgjeroni njohuritë tuaja përmes bisedave të frytshme.

• Vizita kulturore: Zbuloni traditat dhe komunitetet e ndryshme.

• Diskutime në grup: Mirrni pjesë në diskutime që nxisin reflektimin.

• Miqësi të reja: Njihuni me të rinj të tjerë dhe kaloni kohë të mrekullueshme së bashku.

 

Nga data 4 deri më 10 nëntor 2024, ju ftojmë të bashkoheni me ne për një javë të mbushur me kreativitet, miqësi dhe frymëzim. Të gjitha shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe ushqimit janë të mbuluara, duke siguruar që çdo pjesëmarrës të mund të marrë pjesë pa asnjë pengesë. Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 27 tetor 2024 dhe janë të disponueshme në gjuhën shqipe, serbe, turke, rome dhe anglisht.

Mos humbisni këtë mundësi për të ndarë perspektivën tuaj, për të krijuar lidhje të reja dhe për t'u bërë pjesë e një komuniteti të përkushtuar ndaj rrëfimeve mbi përvojat ndërkulturore dhe ndryshimit shoqëror.

Vendet janë të kufizuara, ndaj aplikoni sa më shpejt dhe bëhuni pjesë e kësaj aventure të paharrueshme duke plotësuar një nga format e aplikimit.

Për më shumë informacione ose pyetje, ju lutemi na kontaktoni në [email protected] ose ndiqni rrjetet tona sociale në Facebook dhe Instagram.