18 July, 2024
DokuFest ka kënaqesinë të shpall programin e rradhës, të titulluar No Other Land: Films on Palestine.
Me luftën në Gaza që nuk tregon shenja përfundimi dhe me situatën e popullit palestinez të kapur në vorbullën e luftës, si dhe me situatën e përgjithshme politike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme që po përshkallëzohet në një luftë të plotë, vendimi për të sjellë një program filmash që hedhin dritë mbi konfliktin palestinezo-izraelit, rrënjët dhe pasojat e tij, ishte i domosdoshëm dhe i nevojshëm.
Route 181: Fragments of a Journey in Palestine-Israel nga regjisori i njohur palestinez Micha Kleifi dhe regjisori izraelit Eyal Sivan është ndoshta filmi më i njohur për kompleksitetin e dy kombeve që jetojnë në të njëjtën tokë. Xhiruar në verën e vitit 2002, kur Eyal Sivan dhe Michel Khleifi udhëtuan së bashku nga jugu në veri të vendit të tyre përgjatë vijës së ndarjes së Palestinës nga viti 1947, duke sjellë një film që herë pas here duket si një udhëtim dezorientues nëpër atë që në fakt është një territor mjaft i vogël.
Një tjetër film i xhiruar nga regjisorët palestinezë dhe izraelitë është No Other Land, një kapje e fuqishme e jetës në Palestinën e okupuar. Ai dokumenton shkatërrimin e komunitetit nën okupimin izraelit në fshatin Masafer Yatta në Bregun Perëndimor dhe rezistencën kundër shpërnguljes së detyruar të banorëve të tij, ndërsa në të njëjtën kohë tregon miqësinë e pazakontë midis aktivistit palestinez Basel dhe gazetarit izraelit Yuval.
Three Promises, i përbërë pothuajse tërësisht nga video familjare të xhiruara në fillim të viteve 2000 nga nëna e regjisorit, shohim një autoportret familjar në kohë lufte që rezonon me historinë e gjatë dhe të dhimbshme të Palestinës dhe luftërat e saj aktuale për liri.
Tre filma të shkurtër e përmbyllin përzgjedhjen, UNDR e Kamal Aljafarit është një koleksion pamjesh arkivore që ndërton një rrëfim të frikshëm të pushtimit të kalkuluar dhe që funksionon si një pjesë shoqëruese për filmin e tij A Fidai Film, që gjithashtu do shfaqet në festival.
Man Number 4 i Miranda Pennell, me narracion të shkëlqyer nga regjisori i njohur dhe bashkëshorti i Pennell, John Smith, është një vështrim tronditës dhe shqetësues mbi një fotografi të shkrepur në nëntor të vitit 2023 në Gaza dhe të postuar në rrjetet sociale, duke vënë në pikëpyetje se çfarë do të thotë të jesh një spektator.
Dabke, zhanër muzikor dhe valle tradicionale popullore mbetet një formë tjetër e rezistencës për palestinezët në një kulturë vazhdimisht të kërcënuar me zhdukje. Pikërisht për këtë bëhet fjalë në filmin Dancing with Palestine. Ky film është një dokument i nevojës për kujtesë kolektive, si dhe një dëshmi e dashurisë së thellë të palestinezëve për jetën dhe një akt këmbëngulës i kontributit në arkivën e Palestinës në të tashmen.
Bashkë me disa filma të tjerë rreth konfliktit arabo-izraelit që po shfaqen në seksione të tjera të festivalit, me debate dhe performancë muzikore të grupit muzikorë palestinezë, kjo është një përpjekje modeste e festivalit që të hap diskutimin mbi një nga konfliktet më të gjata dhe më vdekjeprurëse në botë, në një kohë kur këto diskutime po shtypen gjerësisht.
Eyal Sivan dhe Kamal Aljafari do të marrin pjesë në festival për shfaqjet, bisedat dhe sesionet e pyetjeve dhe përgjigjeve të filmave të tyre.
Shikoni listën e filmave dhe përshkrimet e tyre këtu.