July 11, 2025
Wim Wenders: Katër Vështrime të Një Autori

Wim Wenders: Katër Vështrime të Një Autori
Duke filluar nga ky vit, DokuFest nis një program të ri dedikuar mjeshtrave të kinemasë përmes filmave të tyre të shkurtër. Çdo edicion do të sjellë një retrospektivë të përzgjedhur që hedh dritë mbi punën e një autori që ka lënë gjurmë në historinë e filmit. Këtë kapitull të parë e hapim me Wim Wenders, një nga zërat më poetikë dhe vizionarë të kinemasë evropiane.
Në këtë retrospektivë të vogël, prezantojmë katër filma të shkurtër nga Wim Wenders, një prej regjisorëve më të rëndësishëm evropianë. Të realizuar në periudha të ndryshme, këta filma ofrojnë një pasqyrë unike të ideve, stileve dhe shqetësimeve të tij artistike që nga eksperimentimi formal, deri te pyetjet për fatin e kinemasë dhe të botës moderne.
Room 666 (1982) është një dokumentar i xhiruar në një dhomë hoteli gjatë Festivalit të Kanës. Wenders u ka kërkuar regjisorëve të njohur, përfshirë Godard, Herzog e Spielberg të përgjigjen në një pyetje të vetme: A ka të ardhme kinemaja?
Reverse Angle (1982) është një ese filmike e realizuar gjatë një udhëtimi në Japoni. Përmes pamjeve të qyteteve, njerëzve dhe hapësirave urbane, Wenders ndan mendimet e tij mbi imazhin, modernitetin dhe mënyrën se si kultura perëndimore sheh Lindjen.
Same Player Shoots Again (1967) është një nga eksperimentet e tij më të hershme. Një plan i vetëm, i përsëritur pesë herë me ngjyra të ndryshme, ku një burrë ecën me një armë në dorë. Filmi luan me idenë e përsëritjes dhe tensionit duke u bërë një reflektim ironik mbi dhunën, lojën dhe format e tregimit filmik.
Silver City Revisited (1968) është një dokumentar i shkurtër për një qytet fantazmë në Amerikë. Përmes imazheve të ndërtesave të braktisura dhe rrugëve bosh, Wenders përpiqet të kuptojë një Amerikë që ekziston mes kujtesës dhe zhdukjes. Një film melankolik që flet për ëndrrat e humbura dhe boshllëkun e mbetur pas tyre.
Ky program na fton të eksplorojmë jo vetëm filmat e shkurtër, por edhe mënyrën se si një autor sheh botën dhe e përkthen atë në kinema.
Salaud Morisset, Wim Wenders Foundation
Listën e plotë të filmave mund ta shihni këtu.