26 July, 2022


Jemi të entuziazmuar të shpallim programin e këtij viti FUTURE IS HERE që përfshin 26 filma në tre nënkategori të filmave të prodhuar përmes programeve të trajnimit për film në kuadër të DokuFest dhe filmave të prodhuar nga partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut dhe Serbisë.

 Ky vit shënon gjithashtu vitin e 10-të jubilar të programit tonë kryesor të trajnimit për film 'Future is Here', i mbështetur për një dekadë nga National Endowment for Democracy. 21 nxënës të shkollave të mesme gjatë periudhës gjashtëmujore prodhuan shtatë filma të jashtëzakonshëm dokumentarë të shkurtër të shtrira në adresimin e çështjeve të gjera. Nga filmat që trajtojnë të kaluarën me historitë përmbledhëse të pionierëve të pajtimit të gjaqeve në fillim të viteve '90, deri tek tregimi i një historie të bukur dashurie pavarësisht situatës therëse, deri te portretizimet e betejave shumë personale të të rinjve, ne inkurajohemi edhe një herë me potencialin artistik të të rinjve në Kosovë.

 Në vitin 2021, ne filluam një bashkëpunim të ri me OSBE-në në Kosovë për të mbështetur valën e re të kineastëve kosovarë në përgatitjen e organizimit të kampeve të filmit për të rinjtë, për të eksploruar të drejtat e njeriut përmes krijimit të filmave kreativ dokumentarë. 18 pjesëmarrës nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, përmes një procesi krijues të filmave kolektivë, prodhuan pesë dokumentarë të shkurtër që shpalosin sfidat e anëtarëve më pak të privilegjuar të shoqërisë. Nga një vëzhgim eksperimental i një mbledhësi të kanaçeve që jeton në varfëri skajshme deri te një histori e një gruaje drejt rrugëtimit të saj për të gjetur veten, çdo film sjell një këndvështrim të fortë të autorëve që janë të lidhur ngushtë me temën e filmave të tyre.

Të dy kampet u udhëhoqën nga kineastja e mirënjohur Blerta Zeqiri, ish vijuesi i Future is Here Leart Rama, i cili është një nga kineastët më premtues të Kosovës dhe drejtuesi i departamentit tonë edukativ DokuLab, Eroll Bilibani.

 Partneritetet tona të kahershme me festivalet e filmit Free Zone nga Beogradi dhe MakeDox nga Shkupi sjellin histori të ngjashme të prodhuara përmes iniciativave të tyre për trajnimin e filmit. 14 filma do të shfaqen në një përzgjedhje speciale nga partnerët tanë, dhe DokuFest do të presë kineastët e rinj vizitorë që do t'i prezantojnë filmat e tyre para publikut të Festivalit tonë.

 Shfaqjet e shkollës sonë të filmit me prezencën e kineastëve të rinj janë planifikuar për të martën, më 9 gusht, ndërsa programi i filmit partner do të shfaqet në dy slota, të mërkurën më 10 gusht me prezencën e kineastëve nga rajoni.

 Programin e plotë mund ta gjeni këtu