July 14, 2025

13 VJET TË FUTURE IS HERE
Ky vit shënon 13 vjetorin e The Future is Here, programit tonë të trajnimit të DokuFest kushtuar edukimit të zërave të rinj. Për më shumë se një dekadë, përmes këtij programi talentët e rinj kanë eksploruar e mësuar se çfarë do të thotë të tregosh një rrëfim dhe të ndash rrugëtimin tënd përmes formës krijuese dhe përjetuese të dokumentarit. Çfarë kishte nisur si një program i thjeshtë trajnimi është shndërruar në një burim të rëndësishëm kinematografik për Kosovën, duke mbështetur zëra, të cilët tashmë po e krijojnë atë që ne shpesh e quajmë Vala e Re e Kinemasë Kosovare.
Kampi këtë vit mblodhi dhjetë të rinj nga vende të ndryshme të Kosovës, ku secili mbërriti me ndjeshmëritë, pyetjet dhe historitë e veta të patreguara. Për shtatë ditë radhazi, ata mësuan në një mjedis ku eksperimentimi inkurajohet, gabimet janë pjesë e procesit dhe mentorimi është formë dialogu. Disa prej studentëve po e përdornin kamerën për herë të parë, disa veçse kishin filluar t'i vizualizonin tregimet por po e sdifonin vetën që të gërmojnë edhe më thellë, të artikulonin histori të rrënjosura në përvojat e tyre personale. Rezultati i gjithë kësaj jave janë shtatë dokumentarë të shkurtër, secili një fragment i së vërtetës dhe vizionit, të cilët do të shfaqen në ekran për herë të parë të mërkurën, më 6 gusht, në Kino Lumin tonë të dashur.
Gjatë gjithë kampit, mësimet vinin nga një larmi zërash. Nga kineastët e njohur si Dea Gjinovci, Samir Karahoda, Enis Saraçi dhe Ilir Hasanaj, deri tek regjisorët që udhëtimin e tyre e filluan përmes programeve të trajnimit të DokuFest. Studentët e dikurshëm të këtij programi si Leart Rama, Norika Sefa, Flutura Balaj dhe Hana Ahmeti u rikthyen si mentorë, duke e mishëruar frymën e vazhdimësisë dhe rritjes së përbashkët që e dallon Future is Here, një program që edukon jo vetëm talentët në rritje e sipër, por mban edhe lidhjet e qëndrueshme midis gjeneratave.
Shumica prej studentëve na treguan se çfarë domethënie ka Future is Here për ta. Erlisa Buzhala, nxënëse e shkollës së mesme nga Prishtina, u shpreh se rrëfimi i historisë së saj i të jetuarit me aftësi të kufizuara u bë i mundur vetëm për shkak të mirëbesimit dhe mbështetjes që gjeti në program. Për 15-vjeçaren Djellza Musliu, pjesëmarrësen tonë më të re, ishte preciziteti i trajnimit që i kishte lënë përshtypje, e poashtu mënyra se si mentorët i shtjellonin idetë komplekse në diçka që dukej e mundur, e drejtueshme, madje edhe interesante.
Por kjo lidhet me diçka edhe më të madhe. Trembëdhjetë vjet të këtij programi nënkuptojnë që Future is Here ka ndihmuar në formësimin e asaj që kinemaja e Kosovës po bëhet: urgjente, personale, e informuar për mjedisin përreth dhe e guximshme t'i eksplorojë temat komplekse. Leart Rama, i cili iu bashkua si student programit në vitin 2015, e tash mentor në Future is Here, u shpreh se ky program është më pak një shkollë dhe më shumë një shtëpi e përhershme. Një vend ku regjisorët e rinj inkurajohen t'i qasen artit, jetës dhe rrëfimeve vizuale me seriozitet dhe kujdes.
E teksa e presim premierën me 6 gusht, Eroll Bilibani, udhëheqës i DokuLab, reflekton mbi këtë udhëtim të gjatë: “Qe 13 vjet po punojmë për të ofruar një platformë krijuese për të rinjtë tonë, ku ata po kanë mundësi t'i tregojnë historitë e tyre. Jemi tejet krenarë që kemi kontribuar në industrinë e filmit të Kosovës duke u kujdesur për zhvillimin e talenteve të reja që sot njihen si Vala e Re e regjisorëve të Kosovës dhe janë shtylla e kinemasë së Kosovës.”
Listën e plotë të filmave mund ta shihni këtu.