July 11, 2025
DokuFest lanson programin Fiction/Non-Fiction, një përzgjedhje filmash të cilët thyejnë kufijtë mes dokumentarit dhe fiksionit.

DokuFest ka kënaqësinë të njoftojë një përzgjedhje filmash të cilët thyejnë kufijtë mes dokumentarit dhe fiksionit, në një seksion të titulluar Fiction/Non-Fiction. Tetë filma artistikë ku regjisorët eksperimentojnë me narrativa që sfidojnë zhanrin, përdorin forma, figura dhe mjete të tjera dokumentuese, për të ndërtuar një gjuhë filmike që, ndonëse jo domosdoshmërisht e re, sjell një përzgjedhje të larmishme dhe të veçantë.
Të freskëta e të ardhura nga festivalet janë titujt si filmi i Rich Peppiatt për sensacionin irlandez të hip-hopit Kneecap, To a Land Unknown – debutimi në fiksion i Mahdi Fleifel pas disa filmash të shkurtër, hyrja e Gürcan Keltek në botën e fiksionit me filmin magjepsës New Dawn Fades, filmi i pazakontë dhe magjepsës i Courtney Stephens, një emër i njohur në DokuFest, Invention, mjeshtëria e pashoq e Želimir Žilnik në Eighty Plus, kënaqësia që sjell filmi i Jem Cohen në Little, Big, dhe Far, magjia dhe mistika e The World Upside Down nga Agostina Di Luciano & Leon Schwitter, si dhe komedia argëtuese I Am Night at Noonday nga Gaspard Hirschi.