Për edicionin 24, DokuNights rikthehet jo vetëm si një program muzikor, por si një pulsim i pandashëm i DokuFest-it, duke u rritë, duke ndryshu, duke andrru gjithmonë diçka më të madhe. Bashkë, i drejtojmë sytë nga yjet dhe takohemi çdo natë në skenën tonë në Sonar, në kalanë e Prizrenit. Të rrethuar nga gurët e lashtë e dritat, bashkë do e presim lindjen e diellit. Një frymë, një frymëmarrje, një rrahje zemre, një tingull, në kohë.

Kuruar nga Nita Deda dhe Leart Rama, programi i këtij viti sjell një plejadë të gjerë artistësh: nga këngë ceremoniale shekullore deri te tinguj të guximshëm bashkëkohorë që na e riformësojnë ndjenjën e ritmit dhe pranisë. Bashkë shënojmë një kohë muzike, shënojmë magjiken, kujtesën dhe lëvizjen. 
Me 2 gusht, hapim dyert e Sonarit me një natë që vazhdon deri në mëngjes, pret rrezet e para të dritës kur ato mbërrijnë malet. Do të jemi nën qiell e re, teksa ndëgjojmë melodi të thella nga disa nga artistët më vizionarë të skenës elektronike. Byron Yeates, gjeniu pas Radiant Record, dhe dyshja rrezatuese australiane IN2STELLAR takohen përmes orbitës së Rebiswan në një natë të pafund, pa kufij.
Mezi po e presim njërën ndër netët që premton ndjesi të thella, në performancën prekëse të kuartetit ukrainas Dakha Brakha, që s’ka frikë t’i sdifojë të gjitha zhanret. Duke bashkuar traditat popullore me energjinë teatrale, na pret një spektakël i rrallë tingulli dhe vizioni, duke udhëtuar përtej kohës, kufijve, shekujve.
Kërkimet tona ndër yje, s’do të ishin të plota pa i bërë dritë muzikës vendase të Ylli Limanit, këngë të cilat do t'i këndojmë të gjithë së bashku, duke përshkuar të gjitha brezat.
Vazhdojmë me shndritë, shndritë, shndritë me retro-futurizmin emocionues të Shkodra Elektronike teksa ata hedhin dritë në kalanë tonë, në neve, në zemrat tona me interpretimet e tyre moderne të këngëve tradicionale të Shkodrës.

Një rikthim i përmallshëm në shtëpi me Ibadete Ramadanin, ndërsa ajo lason albumin e saj të ri solo, një projekt që rrugëton të gjejë audiencën e tij të parë në qytetin, kalanë, qiellin tonë, më të gjitha këngët për dashurinë dhe mallin.
Cinna Peyghamy, YAAND dhe urbau na bashkohen, për të na ofruar performanca të papërpunuara dhe bashkëkohore që zbehin vijat midis akustikës dhe elektronikës, urbanes dhe rurales, traditës dhe transformimit.
Një tjetër moment të rëndësishëm e shënojmë me upsammy, e cila do të prezantojë albumin e saj të ri Strange Meridians me një shfaqje live audio/vizuale. Një përzierje e pasur melodish gjithë ndriçim dhe pamjesh reaktive, që shpalosen qartazi, me plot besim. Por, para gjithë kësaj na pret LUXE. Ajo na drejton, na shoqëron, e na zhytë drejt e në një terren me andrra, andrrime. 
DokuNights do e përmbyllin me performancën e këngëtarëve legjendarë e performuesve virtuozë Orkestra e Beratit, të cilët na ftojnë këndojmë e vallëzojmë me muzikën e pasur tradicionale shqiptare. Nata s’ndalet këtu. Vazhdon lart në kala me një festë të pafund: 10-vjetori i Sound Metaphors dhe edicioni i 24-të i DokuFest, me kolonën zanore të DJ-ve të Sound Metaphors, Sleep D që na sjell një dritare në universin e Butter Sessions, dhe për një vit tjetër magjik, i vetmi, i dashtuni jonë Genc Elezaj.
Tri shtigje, një destinacion. Një andërr e përbashkët për me vallëzu deri në mëngjes, në të ardhmen, derisa dritat të ndizen përsëri për edicionin e 25-të të festivalit tonë, dhe DokuNights kthehet me andrrën e tij më ambicioze deri më tani!

https://ra.co/events/2220246