Edhe këtë vit kemi krijuar një program të veçantë, enkas për më të dashurit tanë. Një javë e mbushur me argëtim e fantazi pafund, ku fëmijët prej 6-17 vjeç do të mund të mësojnë e krijojnë përmes filmit dhe punëtorive të ndryshme.

Nga data 2 deri më 8 gusht 2025, në hapësirat e Innovation and Training Park (ITP) në Prizren, fëmijët e moshave 6 deri 17 vjeçare do të mund të kalojnë ditë të mbushura me filma frymëzues dhe punëtori përplot imagjinatë. Fëmijët do të mund t'i shohin gjithsej 40 filma të programit DokuKids, çdo ditë prej orës 10:00 deri në 12:00 dhe hyrja është falas për të gjithë.

Edhe në këtë edicion të festivalit do të mbahen gjashtë punëtori të ndryshme, të cilat përfshijnë tema si stop-motion, dokumentari krijues, prodhimi i filmave me ndihmën e AI, siguria online dhe ndërgjegjësimi kibernetik, praktika e storyboard-it dhe transformimi i ideve në fotografi. Të kuruara me kujdes dhe shumë dashni nga Malbora Krajku dhe Idriz Morina, fëmijët do të mësojnë nga artistë dhe profesionistë të njohur të fushës së artit dhe teknologjisë.

Për të gjithë fëmijët që duan të marrin pjesë në punëtoritë e DokuKids, pjesëmarrja sivjet është me pagesë dhe për shkak të interesimit të madh është e rëndësishme që aplikimi të bëhet në kohë.

DATA E FUNDIT PËR APLIKIM është 22 korrik 2025, deri në orën 23:00. 

Pas aplikimit, pjesëmarrësit do të njoftohen nga ekipi i DokuKids për konfirmimin e pjesëmarrjes së tyre në punëtori.

Çmimet për punëtori janë si më poshtë:
Punëtoritë 1 ditore: 7€
Punëtoritë 2 ditore: 10€
Punëtoritë 3 ditore: 15€

Njoftim i rëndësishëm për transportin:

Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, DokuFest nuk do të ofrojë transportimin me autobus, për shkak të komunikacionit të dendur në qytetin tonë. I inkurajojmë të gjithë prindërit që të planifikojnë pjesëmarrjen e fëmijëve me kohë për një përvojë sa më të këndshme në DokuKids.

Ne mezi po presim të ju takojmë dhe të krijojmë e imagjinojmë pafund.

Për të aplikuar gjeni këtu: Formën e Aplikimit - DokuKids


Punëtoritë e këtij viti:

1. Punëtoria e Animacionit Stop Motion!

Animacioni është mënyra më argëtuese për të krijuar një  botë imagjinare ku çdo gjë është e mundur. Por si e gjejmë idenë për një film të animuar? Si e gjejmë frymëzimin në botën reale?
Në punëtori, pjesëmarrësit do të njihen me të gjitha fazat e krijimit të një filmi të shkurtër të animuar: që nga ideja e parë, deri te puna në një storyboard dhe vetë animacionin. Ata do të mësojnë rreth bazave të teknikës së animacionit stop motion dhe softwerit Dragon Frame, njëkohësisht do të eksperimentojnë me materiale të ndryshme ku do të flasin rreth mënyrës se si e shohin botën përreth tyre.

Punëtoria do të zgjas 6 ditë (grupi i parë 2-4 gusht, grupi dytë 5-7 gusht)
 

2. Prodhimi Kreativ i Filmit Dokumentar

Prodhimi Kreativ i Filmit Dokumentar. Ky trajnim synon të forcojë aftësitë e pjesëmarrësve si në aspektet krijuese ashtu edhe në ato teknike të krijimit të filmave dokumentarë. Programi fillon me rrëfimin e historive dhe zhvillimin e koncepteve, duke i udhëzuar pjesëmarrësit në identifikimin e rrëfimeve bindëse dhe strukturimin e filmave dokumentarë.
Ai vazhdon me module praktike në funksionimin e kamerës, regjistrimin e zërit dhe teknikat e ndriçimit, të ndjekura nga një hyrje në softuerin e montazhit dhe metodat e post-production për të formësuar historitë e tyre.

Pjesëmarrësit gjithashtu mësojnë se si të planifikojnë dhe menaxhojnë prodhimet e filmave, të kuptojnë rolet e ekipit dhe të bashkëpunojnë në projekte dokumentare në grup. Trajnimi përfundon me shfaqje dhe seanca reagimi për të mbështetur të nxënit dhe përmirësimin.

Punëtoria do të zgjas: 3 ditë (4-6 gusht)


3. Praktikoni Storyboarding: Shndërroni Idetë në Imazhe

Praktikoni Storyboarding: Shndërroni Idetë në Imazhe është një seminar praktik për të eksploruar bazat e rrëfimit vizual. Përmes ushtrimeve të thjeshta të vizatimit dhe të menduarit krijues, pjesëmarrësit do të mësojnë se si ta ndajnë një histori në skena, të skicojnë idetë e tyre dhe të kuptojnë rolin e storyboard-eve në krijimin e filmave. 

Ky sesion argëtues dhe interaktiv inkurajon imagjinatën, planifikimin dhe shprehjen vizuale të ideve.

Punëtoria do të zgjas: 2 ditë (7-8 gusht)


4. Krijo me AI

Zbuloni fuqinë krijuese të inteligjencës artificiale!
Të rinjtë do të mësojnë se si të përdorin mjete si ChatGPT, Gen-AI dhe Adobe Firefly për të krijuar tekste, imazhe dhe video unike. Me ndihmën e IA-së, pjesëmarrësit do të zhvillojnë skenarë, do të zgjedhin personazhe dhe do të prodhojnë filma të shkurtër që pasqyrojnë idetë e tyre krijuese.

Imagjinatë + Teknologji = Argëtim i pakufizuar!

Kjo punëtori organizohet në bashkëpunim me Cacttus Education.

Punëtoria do të zgjas: 1 ditë (2 gusht)


5. "Si të qëndroni të sigurt online – Ndërgjegjësimi Kibernetik"

Zbuloni si të mbroni veten në botën digjitale!
Të rinjtë do të mësojnë bazat e sigurisë kibernetike për të përdorur internetin në një mënyrë më të sigurt dhe më të zgjuar.

Gjatë seminarit, pjesëmarrësit do të:
1. Identifikojnë kërcënimet online si phishing dhe malware
2. Mësojnë se si të krijojnë fjalëkalime të forta
3. Mbrojnë privatësinë e tyre në mediat sociale
4. Identifikojnë mashtrimet digjitale
5. Mbrojnë të dhënat e tyre personale

Një hyrje argëtuese dhe edukative në botën e sigurisë digjitale, ku të rinjtë mësojnë të përdorin internetin si profesionistë.
Njohuri + Ndërgjegjësim = Një Internet më i sigurt për të gjithë!

Kjo punëtori organizohet në bashkëpunim me Cacttus Education.

Punëtoria do të zgjas: 1 ditë (3 Gusht)


6. Kineastët NextGen 

Një punëtori për realizimin e filmave, fotografinë dhe montazhin. Mundësuar nga IPKO në partneritet me Telegrafin, kjo punëtori dy-ditore praktike i prezanton pjesëmarrësit me procesin e plotë të krijimit të një dokumentari të shkurtër profesional, nga zhvillimi i konceptit dhe skenari deri te xhirimet dhe montazhin, duke përdorur si telefona inteligjentë ashtu edhe kamera. 

Punëtoria do të zgjas: 2 ditë (2-3 gusht)

Listën e plotë të filmave mund ta gjeni këtu.