05 February, 2023


Që nga themelimi i shkollës, 10 vjet më parë, kjo shkollë ka treguar sukses në fuqizimin e zërave të të rinjve përmes programit që inkurajon realizimin e filmave dokumentarë krijues, përmes ushtrimeve praktike mbi proceset e rrëfimeve të historive, ndërkohë i familjarizon nxënësit e shkollave të mesme me konceptin e qytetarit aktiv, të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike. Tregime, nga ato të ballafaqimit me të kaluarën dhe të tashmen, si personale ashtu edhe ndër shoqërore e deri te zbulimi i nënkulturave, janë ato punime që në gjeneratat e kaluara të shkollës kanë udhëtuar në plot festivale të filmit. 

Këtë vit, 17 nxënës morën pjesë në kampin e parë të shkollës dhe sollën komponentin kyq të saj, ndërgjegjësimin se ata janë agjentë të ndryshimit për të trajtuar çështjet shoqërore me të cilat përballen njerëzit në Kosovë dhe kuriozitetin për të mësuar se si trajtohen këto çështje përmes rrëfimeve vizuale. Programi i trajnimit për filma u drejtua nga filmbërësja kosovare, Blerta Zeqiri, e asistuar nga regjisori dhe ish-studenti i Future is Here, Leart Rama, producent dhe drejtues i DokuLab, Eroll Bilibani, regjisori dhe kinematografi, Samir Karahoda dhe drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari. 

Kampi kishte format hibrid me leksione fizike dhe virtuale, masterklasa nga profesionistë të njohur të filmit si ish-studentja e DokuFest, Norika Sefa, me të cilën nxënësit diskutuan procesin e saj të punës në realizimin e dokumentarit të saj të shkurtër "Kiss Me Now", pasi që e panë filmin në DokuKino. Regjisorja/producentja dhe bashkëpuntorja Dea Gjinovci, mbajti ligjeratë rreth hulumtimit në realizimin e filmave dokumentarë. Montazheri i filmave me çmime ndërkombëtare "Hive", "Displaced" dhe "In Between", Enis Saraçi, foli për montimin e filmave, ndërsa filmbërësja suedeze Mia Engberg mbajti masterklasë mbi qasjen e një tregimi të një historie personale në film.  Regjisori Thomas Logoreci trajtoi temën e etikës në filmin dokumentar, ndërsa profesoresha universitare Andrijana Stojkovic, shoqëroi nxënësit në tre ditët e parë të kampit duke mbajtur edhe ligjerata rreth situatave kur dokumentari bëhet trillim. Ndërkaq, Pëllumb Ballata dha orë teorike e praktike në dizajn të zërit. 

Nëpërmjet programit, përveç aftësive për të bërë filma, të rinjve u ofrohet fjala për të debatuar mbi çështje të ndryshme shoqërore të shqetësimeve të tyre të drejtëpërdrejta, duke i angazhuar ata në dialogje ndërkulturore për identitetin, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, ndryshimet klimatike, kulturën, etj. Këto diskutime u nxitën pas shfaqjeve të dokumentarëve që trajtonin tema të ndryshme në kinemanë e DokuKino si "Wake Up on Mars" i Dea Gjinovcit, "Bellevile Baby" nga Mia Engberg dhe "Displaced" nga Samir Karahoda, etj. 

Pas pesë ditësh - nga gjithsej shtatë ditë të kohëzgjatjes së kampit të parë - diskutimi i ideve të tyre me mentorët që inkurajuan përsosjen e propozimeve të tyre fillestare deri në propozimet përfundimtare, u zgjodhën tetë projekte filmike që nxënësit do t'i punojnë së bashku. Dy ditët e fundit studentët ishin të preokupuar me procesin e xhirimit të “vërtetë” duke dalë dhe xhiruar prerjet e përafërta të projektit të tyre që u shfaqën në DokuKino në ditën e fundit të kampit.

Olt Kastrati, një nga pjesëmarrësit e kësaj shkolle, kështu shprehu përvojën në kamp: “Ishte hera ime e parë që kam eksperiencuar diçka si shkolla ‘Future Is Here’, dhe ia vlejti plotësisht. Nuk mund të gjej fjalë të sakta për të përshkruar momentet argëtuese që kam kaluar. Takova njerëz të mrekullueshëm, bëra shumë miq dhe më e rëndësishmja mësova shumë gjëra të reja. Mezi pres të filloj dokumentarin tim dhe jam shumë mirënjohës për këtë mundësi”.

Tetë projektet e zgjedhura do të hulumtohen dhe punohen më shumë në kampin e dytë të shkollës që do të zhvillohet në prill të këtij viti. Xhirimet do të zhvillohen në mars dhe prill, ndërsa në fund do të montohen me ndihmën e Leart Ramës në kampin e tretë. Filmat e prodhuar do të kenë premierën në edicionin e 23-të të DokuFest, në datat 4-12 gusht 2023.

 

Ky projekt financohet nga ‘National Endowment for Democracy'.