DokuFest ka kënaqësinë të prezantojë përzgjedhjen e filmave për programin View From the World.

Disa nga veprat më të mira dhe më të guximshme jo-fiktive të vitit janë mes 12 filmave të përzgjedhur, ku përfshihen "2000 Meters to Andriivka", një vështrim tronditës dhe rrënqethës mbi luftën në Ukrainë nga regjisori ukrainas fitues i Oscar-it Mstyslav Chernov, dhe "Facing War", një tjetër film që trajton luftën Ukrainë–Rusi, por kësaj here përmes prizmit të Aleancës së NATO-s dhe vitit të fundit në detyrë të Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

Dy filma të bazuar plotësisht në arkiva vijnë nga veriu i Skandinavisë: "The Helsinki Effect", mbi samitin historik të Luftës së Ftohtë të vitit 1975 në kryeqytetin e Finlandës, dhe një vështrim magjepsës mbi historinë e marrëdhënieve Izrael–Palestinë përmes arkivave gjithmonë të pranishme të televizionit suedez në dokumentarin "Israel Palestine on Swedish TV 1958–1989".

Një anë më e errët e Amerikës paraqitet në "Separated" i Erroll Morris, për një nga kapitujt më përçarës në historinë e fundit amerikane, ndarjet e familjeve në kufirin jugor, ndërsa "Flophouse America" zbulon një fakt tjetër, po aq tronditës: se 38 milionë amerikanë të varfër ende jetojnë në motele, dhe një në dhjetë fëmijë rritet në një familje të ndikuar nga alkooli.

"Cutting Through Rocks", fituesi i Çmimit të Jurisë në Sundance këtë vit, na çon në një fshat të vogël në Iran, ku Sara Shahverdi, gruaja e parë e zgjedhur në këshillin vendor, synon të thyejë traditat patriarkale të mëhershme duke trajnuar vajzat adoleshente të ngasin motorë dhe me qëllim që të ndalin martesat e fëmijëve.

Një tjetër personalitet i fuqishëm femëror shfaqet në filmin "Coexistence, My Ass!", një dokumentar brilant dhe plot humor që ndjek Noam Shuster Eliassi, e rritur si simbol i procesit të paqes izraelito-palestineze, por që më vonë merr drejtimin e satirës politike dhe komedisë stand-up.

Një treshe filmash personalë për familjen, vetminë dhe artistin plotësojnë këtë përzgjedhje, duke premtuar një udhëtim kinematografik të paharrueshëm për këdo që u dorëzohet këtyre rrëfimeve. Tregime fantastike dhe të ndryshme që edhe njëherë dëshmojnë se jeta është më e çuditshme se trillimi.

Listën e plotë të filmave mund ta shihni këtu.