DokuFest ka kënaqësinë të shpallë përzgjedhjen e programit View from the World, i cili edhe këtë vit sjell në festival disa prej dokumentarëve më të mirë që janë në qarkullim.

Historitë nga Siria zënë një vend qendror në program, me tre filma që shqyrtojnë luftën dhe pasojat e saj. Në Birds of War, me regji nga Abd Alkader Habak dhe Janay Boulos, dy botë të vëna nën presion lidhen mes Alepos dhe Londrës. Nga rrëfimet e drejtpërdrejta mbi luftën dhe mbijetesën deri te një histori dashurie, regjisorët zbulojnë trembëdhjetë vite dallimesh, qëndrese dhe dashurie që i ka rezistuar kohës.


Një perspektivë po aq e gjatë kohore përshkon edhe One in a Million, fitues i çmimeve për regji dhe të publikut në Sundance, ku Itab Azzam dhe Jack MacInnes ndjekin Isranë përgjatë dhjetë viteve vendimtare të jetës së saj. Duke nisur me arratisjen e rrezikshme të familjes së saj nga Siria dhe udhëtimin drejt Gjermanisë, filmi ndjek adoleshencën e saj ndërsa përballet me mërgimin, identitetin kulturor dhe ndjenjën e përkatësisë.

Më tronditësi dhe njëkohësisht më intriguesi nga këta tre filma është Killing Anna, një thriller psikologjik për një akademike që krijon një identitet të rremë në Facebook për të fituar besimin e një krimineli lufte dhe për ta shtyrë të pranojë krimet e tij.
Arkivat zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm në program, me një sërë filmash që i përdorin ato në mënyrë krijuese dhe origjinale.
Një portret i Libanit i ndërtuar tërësisht nga materiale arkivore, Do You Love Me i Lana Daher-it ndërthur një vizion poetik dhe gjithëpërfshirës të një vendi të copëzuar nga trazirat ushtarake, shoqërore dhe ekonomike, duke shndërruar dokumentet individuale në kujtesë kolektive.

Arkivat përftojnë një energji krejt tjetër në Nova '78, me  rikthimin entuziast të Aaron Brookner dhe Rodrigo Areias te legjendarja Nova Convention e vitit 1978. Pamjet e restauruara nga arkivi i Howard Brookner ringjallin një takim unik artistësh, shkrimtarësh dhe muzikantësh, mes tyre William Burroughs, Patti Smith, Frank Zappa, Laurie Anderson dhe shumë të tjerë, duke kapur një moment kur eksperimentimi artistik lulëzonte përtej kufijve të disiplinave.

Hartëzimi i kohës përmes filmit është mënyra se si regjisori Karl Friis Forchhammer, në Christiania, rikthehet mbi më shumë se pesëdhjetë vite të historisë së trazuar të njërit prej vendeve më magjepsëse dhe utopike në botë: qytetit të lirë Christiania në Kopenhagë dhe një eksperimenti unik shoqëror.

Të sapoardhur nga festivalet e Berlinit dhe Kanës vijnë tre filma të përqendruar te individët: një portret i një artisti skocez në proces krijimi, një vështrim retrospektiv mbi një kritike filmi dhe aktiviste antikoloniale, si dhe një film i ngrohtë për një djalosh të ri në Francën rurale.

Douglas Gordon by Douglas Gordon, me regji nga Finlay Pretsell, është një rrëfim unik për një prej artistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë dhe përkushtimin e tij të skajshëm ndaj artit. Duke ndjekur jetën e Michèle Firk përgjatë trembëdhjetë viteve të revolucionit, A Life, a Manifesto, me regji nga Jean-Gabriel Périot, sjell një portret magjepsës të një jete që mbetet e gjallë përmes shkrimeve të saj, ndërsa dëshmon luftërat dhe trazirat e botës së viteve ’50 dhe ’60.

Gabin, Maxence Voiseux ndjek anëtarin më të ri të familjes Jourdel përgjatë një dekade, nga mosha tetëvjeçare deri në hyrjen në moshën e rritur. Mes detyrimeve familjare dhe ëndrrave personale, filmi shndërrohet në një portret delikat të rritjes, që kap pasigurinë e zgjedhjes së rrugës së vet pa braktisur njerëzit që e kanë formësuar atë.

Familja bëhet kështu një tjetër temë e rëndësishme e këtij programi, ku lidhjet familjare marrin forma intime dhe komplekse në If Pigeons Turn to Gold, eksplorimi thellësisht personal i Pepa Lubojacki-t mbi varësinë dhe traumën ndërbreznore. I ndërtuar nga vite materialesh të filmuara nga vetë autorja, video të realizuara me iPhone, arkiva familjare dhe ndërhyrje vizuale risore, filmi refuzon përgjigjet e thjeshta mbi kujdesin dhe përgjegjësinë.

Ekuilibri i brishtë mes lidhjes dhe shkëputjes qëndron gjithashtu në zemër të The Beauty of Errors. Jukka Kärkkäinen vëzhgon trazirat e qeta emocionale të një babai, jeta e të cilit ka qenë e përkushtuar rritjes së djalit të tij. Kur rutina e tyre e përbashkët merr fund, momentet e zakonshme të përditshmërisë shndërrohen në mundësi për të rizbuluar pavarësinë dhe për të pranuar pashmangshmërinë e ndryshimit.

Dinamikat familjare shfaqen edhe në filmin mbresëlënës The Tale of Sylian, ku regjisorja Tamara Kotevska e zgjeron reflektimin përtej bërthamës familjare. I vendosur në sfondin e vështirësive ekonomike dhe rënies së jetës rurale në një fshat të Maqedonisë së Veriut, filmi portretizon kërkimin e vazhdueshëm për një të ardhme më të mirë. Jetët e njerëzve dhe kafshëve ndërthuren në një histori prekëse mbi qëndrueshmërinë, vetminë dhe shpresën në kohë të pasigurta.

Vetë kujtesa bëhet subjekti qendror i Remake, ku regjisori i njohur Ross McElwee ndërthur dekada materialesh filmike që dokumentojnë praktikën e tij si kineast dhe marrëdhënien me djalin e tij të ndjerë, Adrian. Ndërsa arkivat personale ndërthuren me reflektime mbi kinemanë dhe përpjekjen e papërfunduar për të ripërshtatur filmin e tij emblematik Sherman's March, filmi shndërrohet në një meditim prekës mbi pikëllimin dhe kujtesën, elemente që e bëjnë një film të paharrueshëm.

Phenomena, me regji nga Josef Gatti, e shndërron dokumentarin në një eksplorim shqisor të botës natyrore. I krijuar tërësisht përmes eksperimenteve praktike të realizuara brenda kamerës, filmi udhëton nga fenomenet mikroskopike deri te pafundësia e kozmosit, duke shpërbërë kufijtë mes kërkimit shkencor dhe artit pamor.

ELEMENTAL, realizuar nga regjisorë të vlerësuar dhe talente të reja nga e gjithë bota, është një seri dokumentarësh të shkurtër që na fton të reflektojmë mbi jetën tonë përmes elementeve të tabelës periodike.
Mësoni më shumë rreth programit këtu.