August 10, 2016
Nga Dakota Hall/ Kosovo 2.0
Sivjet DokuFest zbuloi një element të ri dhe interesant për festivalin. Edhe pse Kino Kalaja ka qenë pjesë ikonike e DokuFest qe një kohë të gjatë – ku tjetër në botë mund të shikosh dokumentarë të mirë në ambient të jashtëm gjatë verës në një kala bizantine me pamje të dritave të një qyteti të bukur? – kalaja tani është lokacion edhe për Skenën e Muzgut.
Idea për Skenën e Muzgut është e thjeshtë: shijoje kalanë, dëgjo muzikë, shikoje perëndimin e diellit, relaksohu. Sigurisht të gjithë i duam DokuNights, por kushdo që e ka kaluar tërë natën në Skenën Andrra e di që netët e tilla kanë tendencë të dalin nga kontrolli – është lehtë të shkosh në Parkun Marashi në mesnatë duke menduar se do t’i pish vetëm një birrë apo dy dhe do të kthehesh në shtëpi për të pushuar për të nesërmën, vetëm për ta gjetur vetën duke u sillur afër lumit pas pesë orëve, i pirë dhe me çelësa të humbur.
Skena e Muzgut ka për qëllim të ofrojë mjedis më të relaksuar për t’u shfryrë para natës. Fatkeqësisht kjo skenë ishte e mbyllur në netët e para të festivalit për shkak të shiut, por shkova të hënën atje për të parë se për çfarë bëhej fjalë.
E mira e Skenës së Muzgut është atmosfera e relaksuar që tërheqë një llojshmëri njerëzish, ma shumë se ekuivalenti i saj pas mesnatës. Ishin disa të moshuar dhe familje, si dhe disa fëmijë të vegjël. Sigurisht është e hapur për publikun dhe krejtësisht falas, kështu që vendasit e Prizrenit dhe vizitorët ndërkombëtar mund të shkojnë atje lart e të kënaqen me muzikë dhe me perëndimin e diellit, edhe nëse nuk janë të interesuar për dokumentarë për sistemin e shëndetësisë në Kolumbi, ose për tekno nga Berlini.
Dy vajza ishin në rolin e DJ-ëve, miksonin këngë pop që njerëzit i dinin, pinin cigare, me syze, dhe kryesisht dukeshin shumë cool.
Dhe një lajm i mirë, njerëz të DokuFest-it: Si duket qielli do të jetë i kthjellët prej tani. Nëse moti është i keq ose duket i dyshimtë, bisedoni me vullnetarët në sheshin kryesor për t’u siguruar që programi i Muzgut do të mbahet, para se të shkoni lart, por përndryshe, parashihet të jetë i hapur për tri mbrëmjet e ardhshme.
Sonte do të kemi tinguj doën tempo nga Tirana (Ujë Pa Gaz); nesër, vokale shpirtërore, sinta dhe tinguj analog (Bicalko); dhe të premtën, këngë shqipe të pagëzuara nga trashëgimia e UNESCO (Albanian Iso-Polyphony). Shihni faqet 56 dhe 57 të programit të DokuFest për hollësi dhe informata.
Është vend i mirë për të shkuar me një grup shokësh e shoqesh, për t’i pirë disa birra, për ta parë një film në mbrëmje, ose për pije para DokuNights. E rekomandoj.
Kosovo 2.0 është partneti zyrtat medial i DokuFest – zbuloni përmbajtjet më interesante të festivalit çdo ditë këtu.
Kosovo 2.0 është revistë online dhe e shtypur që u ofron zëra të guximshëm e të patrembur. Koleksioni ynë i plotë i revistave në shtyp do të jetë në dispozicion në stendën tonë në Shadërvan, Prizren, gjatë tërë DokuFest, duke përfshirë edhe edicionin tonë të fundit “90-at”.