28 February, 2025


Projekti ‘’Stories We Tell’’ përfundoi me kampin e katërt dhe të fundit, i cili u mbajt këtë shkurt në Prizren.

Gjatë gjashtë ditëve, 14 pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme të Kosovës morën pjesë në diskutime mbi filmin, teknikat e xhirimit dhe montazhit. Përtej aspekteve teknike, ata eksploruan artin dhe tregimin, duke sjellë në jetë histori që i ndihmuan të reflektonin mbi ndryshimet sociale me të cilat përballen. Me mbështetje nga DokuFest, ata përdorën filmin si mjet për të hedhur dritë mbi këto çështje.

Për të thelluar njohuritë e tyre për tregimin e historiave, filmin dhe ndikimet kulturore, pjesëmarrësit vizituan Bienalen Autostrada dhe Kinema Lumbardhi. Aty, diskutimet mbi artin dhe dialogun social forcuan ndërgjegjësimin e tyre për ndryshimet shoqërore dhe ndikimin që mund të ketë mendimi kritik në nxitjen e reflektimit dhe ndërgjegjësimit.
Gjatë javës, pjesëmarrësit praktikuan teknikat e xhirimit dhe krijuan detyrat praktike në lokacione locale të qytetit, të shoqëruar nga sesione mentorimi dhe vlerësimi. Kjo qasje e bazuar në praktikë jo vetëm që rriti aftësitë teknike, por gjithashtu nxiti krijimtarinë dhe zhvillimin e ideve të reja.
Në fund të kampit, pjesëmarrësit zhvilluan video të shkurtra dy minutëshe, duke përdorur vetëm pamje të njëri tjetrit dhe ambientit për të shprehur se si e shihnin njëri-tjetrin dhe çfarë kishin mësuar, si nga njëri-tjetri, ashtu edhe nga kampi. Këto video shërbyen si pasqyrë e perspektivave të rëndësishme shoqërore.

Në natën e fundit, pjesëmarrësit morën pjesë në një intervistë që në dukje ngjason me një podcast, e krijuar nga ekipi i DokuFest. Ata u ndanë në qifte, dhe diskutuan mbi temat që kishin eksploruar gjatë kampit, duke shtruar pyetje për njëri-tjetrin rreth çështjeve që kishin më shumë vlerë për ta. Intervistat e realizuara do të shfaqen në ekspozitën përfundimtare të ‘’Stories We Tell’’ në muajin prill.
Ky projekt, që kaloi përmes katër kampeve, jo vetëm që ka ofruar mundësinë për të mësuar aftësi teknike, por gjithashtu ka inkurajuar të menduarit kritik, dhe .krijimin e miqësive të reja duke i pajisur këta të rinj me aftësinë dhe guximin për të vazhduar të tregojnë histori që mund të sjellin ndryshim.