July 15, 2025

Nga majat e mbuluara me borë të rajonit të Prizrenit deri te terrenet e egra përtej rrethit Arktik, nga lëvizjet ekspresive të futbollit freestyle deri te harmonia e trupit me natyrën, programi i sivjetmë Sport on Film shfaq shpirtin e aventurës, qëndrueshmërisë dhe krijimtarisë filmike përmes sportit.
Ky program sjell histori që shkojnë përtej performancës fizike, duke zbuluar udhëtime personale e kulturore dhe emocionet që i shtyjnë njerëzit të tejkalojnë kufijtë e tyre.
Transcardus – A BalkanSki Story, që shfaqet premierë në DokuFest, ndjek traversën e parë ski-alpinistike të masivit të Sharrit, në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Udhëhequr nga skiatori i terreneve të pjerrëta dhe udhërrëfyesi malor Enrico Mosetti, dhe xhiruar në stil dokumentar nga vetë anëtarët e ekspeditës, filmi zbulon bukurinë e egër dhe të pashkelur dimërore të një rajoni që ende mbetet larg vëmendjes së turizmit masiv, duke ofruar një kontrast të fortë me Alpet e zhurmshme.
Në këtë edicion, sportet ekstreme në natyrë gjejnë vend edhe përmes filmave që ndjekin çiklistë malorë në ekspedita sfiduese dhe skena spektakolare mbi dy rrota, që sfidojnë gravitetin dhe frikën.
Qoftë duke hapur shtigje të reja në borë të paprekur, duke u përballur me frikën në shkëmbinj të largët, apo duke mahnitur me lëvizje freestyle nëpër kontinente, këta filma eksplorojnë pikëtakimin mes sportit, rrëfimit dhe kinemasë plot adrenalinë.
Ky program është realizuar në partneritet me Red Bull.
Listën e plotë të filmave mund ta gjeni këtu