July 6, 2026
25 vite më parë, në nisje të edicionit të parë të DokuFest, ra jashtëzakonisht shumë shi. Ndoshta, koha nuk u përputh mirë. Ndoshta ishte ogur i çuditshëm. E nuk kishte në ne një nisje të ëndërrt apo qartësi mbi vijueshmëri, por kishte veç vullnet për të punuar në hapësirën gjysmë-funksionale të Kino Lumbardhit, të hapnim dyert dhe të vijonim të shihnim filma së bashku.
Bota është duke u djegur, por dyert hapen në orën tetë. Historia e përsërit veten e këtë gusht, në mënyrën tonë edhe ne e gjejmë veten në përsiatje. Përgjatë 25 viteve, rrallë ka patur një çast për t’u ndalur e për të festuar. Ka patur gjithmonë dicka të papërfunduar, nën presionin, apo një arsye për të shtyrë gëzimin deri në momentin që në botë do të gjendej më shumë sens. Në fakt, ky moment nuk gjen ende një datë. Ndoshta të gjendurit gjithmonë në kohë të papërshtatshme, është kthyer në himnin tonë: ne e tregojmë veten, i hapim kinematë dhe sërish ndalemi të shohim, edhe kur të parit ktheht në akt të parehatshëm.
Çfarë nisi në një kinema u përhap shumë shpejt në Prizren, me kinema të reja, me rimarrje të hapësirave të harruara dhe gradualisht duke krijuar një qytet paralel për këdo të shkrihet në të. Por ndryshimi, nuk është vetëm fizik. Filmat i kanë formësuar bisedat tona, shumë të panjohur janë bërë miq, të rinjtë patën tokë prej së cilës mund të imagjinonin të ardhme të ndryshme dhe shumë prej nesh kanë mësuar ta kthejnë Prizrenin, me gjithë ndërprerjet e veta, në një dhomë krejt për vete.
25 vite mund të konsiderohen, provë e qëndrueshmërisë, paçka se jo e një rezistence të pafundme. Por, refuzojmë të shohim mënjanë. Këtë vit, të treguarit e vetes është akt politik, qenësor, një perspektivë thelbësore që i shtrin rrënjët në qëndresë dhe mosbindje. Qëndresë dhe mosbindje. Ndaj të gjitha strukturave, hierarkive apo çfarë rrëfehet t’i përngjajë normales.
25 për 25: është mënyra jonë e të shënuarit e viteve që nuk jemi ndalur së lëvizuri. Numrat që përsëriten, rrotullohen dhe qëndrojnë në një ritëm derisa një linjë e ndërpret kallëpin, njejtë si festivali ka synuar gjithmonë të ekzistojë. Në këtë rrugë të gjatë të festivalit, kemi shumë për çka të jemi mirënjohës, por jemi po ashtu të palodhur sepse ka ende filma për të parë, biseda për të nisur dhe mendje për të ndryshuar në një qytet që jemi duke e zbuluar së bashku. Kështu është ndërtuar DokuFest-i. Kështu ka qëndruar. Kështu do të jemi: vazhdimisht në mosbindje.