Për shumë të rinj që rriten mes Kosovës dhe Zvicrës, identiteti rrallëherë është nocion i ngulitur. Identiteti lëviz bashkë me gjuhën, historitë familjare, gjeografinë dhe pritshmëritë e pazëshme që lindin nga jetesa mes kulturave të ndryshme. Disa trashëgojnë kujtime të vendeve ku nuk kanë jetuar kurrë. Të tjerë e njohin Kosovën vetëm përmes vizitave verore ose rrëfimeve të dëgjuara rreth tryezës familjare. E disa vijnë pa asnjë lidhje personale me të, të shtyrë nga kureshtja për një vend që e kanë njohur vetëm përmes njerëzve që i rrethojnë.

Re:Connect u ndërtua pikërisht mbi këtë realitet.

Ky program zhvillohet nga DokuFest dhe Kino Kosova, me mbështetjen e Movetia dhe Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, dhe mblodhi të rinj nga Kosova dhe Zvicra, duke përfshirë pjesëmarrës nga diaspora kosovare, si edhe pjesëmarrës zviceranë me prejardhje të ndryshme kulturore. Përmes punëtorive, mentorimit dhe realizimit të filmave në bashkëpunim, ata u inkurajuan jo vetëm të shpjegonin se kush janë, por ta zhvillonin përgjigjjen e kësaj pyetjeje përmes procesit krijues të kinemasë.

Sipas mentorit Samir Karahoda, Ajo që ishte më e vlefshme te Re:Connect ishte të shihje se si pjesëmarrësit e përdorën filmin jo për ta përkufizuar identitetin, por për ta vënë atë në pikëpyetje. Ata u nisën prej kujtimeve personale, historive familjare dhe marrëdhëniet e ndryshme me Kosovën, por përmes diskutimeve, ligjëratave, hulumtimit dhe bashkëpunimit, këto rrëfime u hapën drejt diçkaje më universale, që kishte qenë synimi ynë që nga fillimi.”

Njëmbëdhjetë filmat e realizuar gjatë dy edicioneve të programit nuk ofrojnë një përgjigje të vetme për pyetjet mbi identitetin apo përkatësinë. Përkundrazi, ata sillen rreth kujtimeve familjare, migrimit, shtëpisë, mungesës dhe lidhjeve që bashkojnë brezat. Gjyshërit bëhen rrëfimtarë, arkivat familjare hapin biseda të harruara, ndërsa vendet e njohura shihen me sy të rinj. Së bashku, këta filma tregojnë se historitë më personale shpesh flasin për diçka shumë më të madhe.

"Ajo që i lidh këta filma nuk është një stil apo temë e përbashkët. Është kureshtja," thotë mentori Eroll Bilibani. "Gjë që nuk mund të mësohet vërtet në një klasë. Kjo pikë lidhëse forcohet duke punuar së bashku, duke kaluar kohë bashkë, duke sfiduar idetë e njëri-tjetrit dhe duke kuptuar gradualisht se historia e dikujt tjetër mund të ndryshojë mënyrën se si e kupton historinë tënde."

Ky shkëmbim funksionoi në të gjitha drejtimet. Pjesëmarrësit nga Kosova u njohën me të rinj, lidhja e të cilëve me vendin ishte formësuar nga distanca dhe kujtesa, ndërsa pjesëmarrësit nga Zvicra e zbuluan Kosovën përmes përvojës së jetuar, e jo përmes narrativave të trashëguara apo titujve të lajmeve. Larmia e prejardhjeve i bëri bisedat më të pasura dhe u kujtoi të gjithëve se shkëmbimi kulturor bëhet më domethënës kur përfshin këndvështrime të ndryshme, jo vetëm origjina të përbashkëta.

Sabahet Meta nga KinoKosova në Zvicër thekson se: Re:Connect preku një zë që kishte etje të dëgjohej. Kur të rinjtë fuqizohen për të treguar historitë e tyre, ata bëjnë më shumë sesa të dokumentojnë botën përreth. Ata e formësojnë atë me guxim, krijimtari dhe shpresë. Përmes realizimit të filmave në bashkëpunim, përvojat individuale u shndërruan në një zë kolektiv, duke ndihmuar në përkapjen dhe kuptimin më të mirë të realiteteve, narrativave të trashëguara, pyetjeve dhe aspiratave të një brezi që po lundron në një botë gjithnjë e më komplekse. Ndoshta sfidat dhe ndërlikimet në rritje të botës sonë burojnë pikërisht nga mungesa e më shumë nismave si Re:Connect.”

Kur i kthehemi pas të dy edicioneve, ndoshta arritja më e madhe e programit nuk janë vetëm filmat e realizuar. Kryesorja është se kineastët kanë fituar besim për të rrëfyer histori që i ndienin si të tyret, miqësitë dhe bashkëpunimet krijuese që kapërcyen kufijtë, si edhe mirëkuptimi se identiteti nuk ka nevojë të përkufizohet në mënyrë të prerë që të jetë i denjë për t’u zhvilluar.

RE:CONNECT 2026 – Eksplorimi i Identitetit përmes Realizimit Bashkëpunues të Filmit mbështetet nga Movetia dhe Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.

Gjeni këtu të gjithë filmat që janë pjesë e programit Re:Connect 2.