DokuFest ka kënaqësinë të prezantojë një program të dedikuar njërit prej zërave më të veçantë dhe vizionarë të kinemasë: Sergei Parajanov. I konceptuar si një triptik, tre filmat e përzgjedhur në këtë seksion ofrojnë një meditim mbi artin, kujtesën dhe vendin, duke zbuluar aftësinë e jashtëzakonshme të Parajanovit për ta shndërruar praktikën artistike në gjuhë kinematografike.

Për Parajanovin, arti është i pandashëm nga shpirti i vendit prej nga buron. Piktura, arkitektura, rituali dhe folklori shndërrohen në shprehje të gjalla të një kulture, duke krijuar një lidhje pothuajse kërthizore mes njerëzve dhe peizazheve që ata banojnë. Kinemaja e tij shpërbën kufijtë mes disiplinave, duke i trajtuar imazhet jo si ilustrime, por si bartëse të historisë, mitit dhe kujtesës kolektive.

Njëherazi surreal dhe intim, krijimtaria e Parajanovit rishpik vazhdimisht nocionet konvencionale të së bukurës. Duke i bërë jehonë filozofit italian Benedetto Croce, sipas të cilit njohja artistike nuk mund të kufizohet brenda kategorive të ngurta, por i përket sferës së shpirtit, filmat e Parajanovit lëvizin lirshëm mes pikturës, teatrit, muzikës dhe kinemasë. Ata e kremtojnë krijimin artistik si diçka lozonjare, të thellë dhe të pamundur për t'u klasifikuar.

Triptiku hapet me Arabesques on the Theme of Pirosmani, një homazh për piktorin gjeorgjian Niko Pirosmani. Një artist autodidakt, që kaloi pjesën më të madhe të jetës pa qënë në qendër të vëmendjes, Pirosmani  e pat gjetur poezinë jetës së përditshme, duke i ngritur njerëzit e zakonshëm, kafshët dhe peizazhet në ikona të përjetshme. Përmes gjuhës së tij të pagabueshme vizuale, Parajanovi i shndërron pikturat e Pirosmanit në një portret kinematografik të vetë Gjeorgjisë.

Më pas vjen Hakob Hovnatanyan, kushtuar piktorit të madh armen të portreteve, i njohur shpesh si "Raphaeli i Tiflisit". Ndërsa Pirosmani përqafonte thjeshtësinë dhe jetën rurale, Hovnatanyani kremtonte finesën, portretin dhe kulturën kozmopolite. Së bashku, këta dy filma zgjerojnë vizionin e Parajanovit për Kaukazin, duke zbuluar një rajon të formësuar nga tradita të ndërthurura, prejardhje artistike dhe shtresëzime ndikimesh nga bota lindore.

Programi përmbyllet me Kyiv Frescoes, ndoshta vepra e papërfunduar më tronditëse e Parajanovit. I konceptuar fillimisht si një film artistik mbi Kievin e pasluftës, projekti u ndërpre nga autoritetet sovjetike, duke lënë pas vetëm fragmente xhirimesh, pasi një pjesë e madhe e materialit u censurua dhe u zhduk. Ajo që ka mbijetuar është një kolazh mahnitës kinematografik, ku vetë papërfundueshmëria bëhet pjesë e fuqisë së tij shprehëse, duke e shndërruar humbjen në formë artistike.

Edhe sot, Sergei Parajanov mbetet një nga mjeshtrit më të mëdhenj të kinemasë, i njohur për aftësinë e tij për ta kthyer spontanitetin në poezi vizuale të orkestruar me përpikëri. Filmat e tij i rezistojnë rrëfimit linear, duke i ftuar shikuesit në botë ku historia, folklori dhe imagjinata bashkëjetojnë. Në këtë edicion të DokuFest-it, këto tri vepra të jashtëzakonshme qëndrojnë si rrëfime të ndërprera mbi artin, kujtesën dhe qëndresën.