July 9, 2026
Vitin e kaluar nisi një program kushtuar mjeshtërve të artit filmik, krijimtaria e të cilëve ka formësuar në mënyrë thelbësore kinemanë siç e njohim sot. Këtë vit jemi veçanërisht të lumtur t’ia kushtojmë këtë program një prej figurave më të rëndësishme të këtij arti: Agnès Vardës. Një përzgjedhje e kuruar nga krijimtaria e saj do të shfaqet gjatë këtij edicioni të DokuFest.
Duke nisur me filmin Black Panthers (1968), udhëtojmë në Kaliforninë e Vardës për të parë nga afër lëvizjen e Black Panther. Duke kaluar nga vëzhgimi te komentari politik, Varda vë në qendër aktivizmin e Panthers, imazhin e tyre publik dhe ndikimin që patën në komunitetin afrikano-amerikan të Oakland-it, ndërsa dokumenton një moment kyç në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjestet, lëvizjet dhe ritualet kolektive shndërrohen në elemente kyçe vizuale për të kuptuar gjallërinë dhe dinjitetin e kësaj kulture. Varda e ndërthur zërin e saj të veçantë filmik mes radhëve të protestuesve, duke sjellë dëshmi të dorës së parë së kësaj lëvizjeje.
Me L’Opéra-Mouffe shëtisim përgjatë Rue Mouffetard, e drejtohemi nga vështrimi unik dhe poetik i Vardës, në një film që shënon një nga kryeveprat e saj të para të dokumentarit personal. Regjisorja, në atë kohë shtatzënë me fëmijën e saj të parë, endet në lagjen ku jeton duke kapur çaste intime dashurie, por edhe kaosin dhe begatinë që gjenden në rezistencën e përditshme. Lëvizshmëria stilistike e filmit bëhet mjeti për të shprehur empatinë dhe humanizmin, duke paralajmëruar ardhjen e Valës së Re Franceze.
Nga Rue Mouffetard kalojmë në lagjen elegante pariziene ku Varda jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj, me Le lion volatil. Duke marrë frymëzim nga Parisi, kjo histori me elemente fantastike ndjek Clarisse-ën dhe mikun e saj, të cilët zhduken së bashku me statujën-luan të Place de Belfort. Poetika e qytetit përshkon çdo kuadër dhe, bashkë me të, zbulojmë magjepsjen e Vardës për hapësirën dhe komunitetin, ndërsa një mister i pazakontë pret të zgjidhet.
Përmes kërkimit të luanit prej mermeri të zhdukur të lagjes së 14-të të Parisit, udhëtojmë në Isfahan të vitit 1976 me Plaisir d’amour en Iran, ku ndjekim takimin poetik të dy të dashuruarve, Pomme dhe Ali Darius. Filmi gjen paralele mes përzemërsisë dhe afërsisë përmes mozaikëve dhe arkitekturës iraniane. Forma dokumentare ndërthuret me lirizmin dhe imagjinatën, duke krijuar një portret të veçantë të Iranit para revolucionit.
Ndalesa jonë e fundit në programin kushtuar Agnès Vardës është Kuba me: Salut les Cubans. I ndërtuar nga më shumë se 1800 fotografi të realizuara nga vetë regjisorja, filmi përdor një teknikë krijuese për t’u dhënë jetë imazheve statike. I shoqëruar nga muzika kubane dhe narracioni i Michel Piccoli, filmi paraqet me entuziazëm jetën në Kubë, të cilën Varda e përshkroi me aq finesë si “një përzierje e socializmit dhe cha-cha-cha-së”.