July 16, 2026
Dokumentari vret fashizmin! – Mark Cousins në DokuFest!
Një nga ngjarjet më të veçanta të këtij edicioni jubilar është lajmi se Mark Cousins më në fund po vjen në DokuFest. Prej vitesh, mungesa e tij ishte kthyer në një lloj legjende urbane. A do të vijë vallë Mark Cousins në Prizren? Këtë herë, po. Pasi kemi shfaqur ndër vite një sërë filmash të tij, përfshirë edhe shfaqjen e plotë të veprës monumentale 15-orëshe The Story of Film: An Odyssey në vitin 2011, më në fund ka ardhur koha që Mark të jetë i pranishëm në festival me filmin e tij më të ri.
The Story of Documentary Film vjen plot 100 vjet pasi John Grierson krijoi termin "dokumentar", duke vazhduar një mision që e ka shoqëruar gjithmonë Cousins: rikthimin dhe rrëfimin e historive të lëna në hije, si të historisë së botës, ashtu edhe të historisë së kinemasë. I ndarë në 16 kapituj, ose më saktë në 16 dekada, ky serial ndjek evolucionin e dokumentarit në rend kronologjik, duke udhëtuar nëpër histori nga e gjithë bota dhe duke sjellë fragmente nga qindra filma.
Në DokuFest, audienca do të ketë mundësinë të shohë dy kapituj të The Story of Documentary Film: atë të viteve '60 dhe atë të viteve '80.
Kapitulli i viteve '60, me titull "Not Willing to Obey", ndjek transformimin e dokumentarit nga një mjet vëzhgimi pasiv në një formë aktive rezistence, ndërsa teknologjitë e reja u dhanë regjisorëve mundësinë të sfidonin pushtetin dhe të riformësonin rolin e kinemasë. Ndërsa në kapitullin e viteve '80, Cousins argumenton se dokumentari u zgjerua përtej vëzhgimit politik, duke u shndërruar në një formë thellësisht personale dhe vetëreflektuese, që eksploron kujtesën, identitetin dhe mënyrat e shumta se si mund të rrëfehet e vërteta.
Me njohuritë e tij enciklopedike që i ndan me një elegancë dhe bujari të rrallë, si edhe me theksin e tij hipnotizues të Belfastit, që shpesh të jep ndjesinë se më shumë pëshpërit sesa flet, ndërsa na prezanton me zbulime nga kineastë të njohur e të panjohur, entuziazmi ynë për të mirëpritur një zë kaq të veçantë të kinemasë mbetet i pafund.
Imazhi në ballinë: Reuters