July 22, 2026
Jemi shumë të lumtur të njoftojmë se Elvin Brandhi do të interpretojë një kolonë zanore live për një film të realizuar nga Daniel Bird, i ndërtuar nga skanime të papërpunuara të materialeve të papërdorura, provave të ekranit dhe provave të kamerës nga filmi The Colour of Pomegranates (1969) i Sergei Parajanov.
Në fillim të këtij viti, Bird dhe Brandhi hulumtuan arkivat e Radios Publike Armene, duke digjitalizuar efekte zanore të epokës sovjetike nga shirita magnetikë origjinalë. Paralelisht, ata realizuan regjistrime në terren në peizazhe malore dhe tempuj të rrënuar, për të krijuar një kolonë zanore origjinale për këtë material të papublikuar më parë, në dialog me kompozitorin e kolonës zanore origjinale të filmit, Tigran Mansurian.
Në këtë performancë, Brandhi do ta pasurojë këtë peizazh tingullor me improvizimet e saj unike vokale, duke krijuar një hapësirë që qëndron diku mes ritualit dhe kinemasë. Një përvojë e jashtëzakonshme dëgjimore që nuk duhet humbur!
Gjatë këtij edicioni të DokuFest-it kemi vendosur një fokus të veçantë mbi veprën e Sergei Parajanov përmes programit special "Parajanov Triptych", i cili do të shfaqet në kinematë e Prizrenit më 8 gusht. Po atë ditë, një tjetër ngjarje e lidhur me Parajanovin do të hapet në kuadër të festivalit: ekspozita "A Cage in Search of a Nightingale: Slogans and Sounds for Sayat Nova Outtakes", nga Brandhi dhe Bird, në Pyke-Presje në Prizren. Ekspozita do të prezantojë një Parajanov të panjohur, të kapur mes magjisë dhe Bashkimit Sovjetik, folklorit dhe avangardës.
Duke vazhduar këtë udhëtim artistik, më 9 gusht në Prizren [më shumë detaje së shpejti], Daniel Bird dhe Elvin Brandhi (pseudonimi i artistes së zërit, këngëtares dhe producentes Freya Edmondes) do të eksplorojnë ndërthurjen mes medias analoge dhe asaj digjitale në fillim të shekullit XXI.
Përmes interpretimit live të kolonës zanore mbi këto materiale arkivore, Elvin Brandhi do të sjellë një riinterpretim të dimensionit tingullor të filmit. Puna e saj është përshkruar si e aftë të krijojë një orkestër të tërë emocionesh përmes tingujve. Kjo performancë vë në pah trashëgiminë artistike të Sergei Parajanov dhe Tigran Mansurian, duke theksuar rëndësinë e frymës së vendit (spirit of place) në krijimtarinë e tyre. Njëkohësisht, ajo ofron një këndvështrim të ri përmes të cilit poezia vizuale e përjetshme e filmit bëhet edhe më e qartë.
Dhe, së fundi, kemi kënaqësinë të shfaqim edhe filmin emblematik të Parajanovit, The Colour of Pomegranates, si pjesë e seksionit Blast from the Past të festivalit.
—
Programi dhe ekspozita mbështeten nga Fondacioni Calouste Gulbenkian.