23 July, 2024
Ekspozita paraqet filma dhe materiale vizuale më pak të njohura të Goran Djordjević, një artist konceptual ndërkombëtarisht i njohur. Djordjević, i cili studioi inxhinierinë elektrike në Beograd dhe Arte Pamore në MIT, përdori modelet heuristike shkencore për t’u përfshirë me format vizuale komplekse. Duke paraqitur punën e tij brenda kontekstit të artit si eksplorim vizual, Djordjević sfidoi nocionin tradicional të artistit si gjeni individual dhe mbrojti përparësinë e hulumtimit mbi kreativitetin. Në ekspozitën e tij të parë në Prizren, qytetin e tij të lindjes, Eksplorime Vizuale do të prezantojë punimet e Djordjević-it të krijuara në këtë frymë.
Ekspozita është e ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë përfshin një seri punimesh grafike nga ‘Proceset në një Sistem Katërkëndësh’, që është përcaktuar si “një grup fenomenesh vizuale brenda sistemit katërkëndësh që përcaktojnë gjendjen e sistemit.” Fillimisht e ekspozuar në Bienalen e Parisit në 1975 dhe e publikuar në revistën komike Pegaz po atë vit, kjo punë është një nga shembujt më të fortë të eksplorimeve vizuale.
Me të njëjtën logjikë, Djordjević gjatë viteve shtatëdhjetë realizoi një seri filmash të shkurtër eksperimentalë, duke përdorur kamerën filmike 8 mm si një mjet për analizimin e aspekteve materiale dhe strukturore të mjedisit të tij. “The Open Book”, “Belgrade”, “The Blue Sky”, “Tape Recorder”, “Family Photos”, “Self Portrait”, dhe “Art is Illusion” u krijuan të gjitha në mes të viteve shtatëdhjetë, dhe janë dëshmitarë të etosit së filmit eksperimental që mjegullon vijat mes burimit dhe përfaqësimit. Audienca do të ketë mundësinë të shohë këto filma, të cilët u shfaqën për herë të fundit publikisht në Kooperativën e Filmbërësve të Londrës/ London Filmmakers Cooperative në vitin 1979.
Krahas kësaj, ekspozita do të shfaqë portretet filmike të artistëve nga Djordjević, ku secili zgjat 15 sekonda, si pjesë e manifestimeve të artit bashkëkohor në Beograd, Paris dhe Venecia, ndërmjet viteve 1974 deri 1980. Ky projekt filmik 30 minutësh, që shfaq mbi njëqind artistë bashkëkohorë si Joseph Beuys, Genesis P. Orridge dhe Marina Abramović, do të shfaqet publikisht për herë të parë në ekspozitën Visual Explorations në Galerinë Pykë-Presje. Këto portrete janë jo vetëm një dokument i periudhës më të gjallë të Artit Konceptual, por edhe një vështrim në botën e artit si një "strukturë" në vetvete.
Prodhuar në bashkëpunim me DokuFest, ekspozita është kuruar nga Pykë-Presje dhe do të hapet gjatë festivalit më 3 gusht.