08 July, 2022


DokuFest sot shpalli listën e plotë të filmave në 8 programe e tij garuese. Gjithsej, 109 filma do të garojnë për çmimet e festivalit. Të përzgjedhura nga një numër rekord i aplikimeve, programet garuese të edicionit të 21-të të DokuFest janë plot me filma që do t’na bindin se filmi është e vetmja formë e artit që na ngjall dëshirën për të ndryshuar botën, duke prekur spektrin e plotë të emocioneve tona. Duke filluar nga filmbërësit e rinj, tek mjeshtrat e zanatit apo edhe filmbërësit me filmat e tyre të parë, jemi më se të kënaqur të prezantojmë një përzgjedhje të jashtëzakonshme të filmave garues për edicion e 21-të të DokuFest-it. 

“DokuFest ka kënaqësinë ti rikthehet ritmit të mëparshëm, me një program eklektik të filmave, që me shumë bindje them se do ta mahnisë, prekë, e madje edhe ta trondisë audiencën,” thotë Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i DokuFest. "Të jemi në gjendje të prezantojmë vepra të cilësisë më të lartë, vit pas viti, për audiencën tonë gjithnjë në rritje, është qëllimi ynë më i madh dhe ne jemi veçanërisht të emocionuar për këtë." 

“Ndihemi jashtëzakonisht të lumtur për atë që kemi përgatitur dhe atë që do të ndajmë me publikun tonë dhe dashamirësit e formatit të të filmave të shkurtër. Prezantimi i një larmie veprash të veçanta dhe të freskëta që trajtojnë temën e sivjetme të festivalit dhe të historive të paparë deri më tani, është ajo që më emocionon më së shumti”, thotë Samir Karahoda, programues i filmave të shkurtër të DokuFest. 

Në ditët në vijim, DokuFest do të vazhdojë me publikimet e programit, duke përfshirë përzgjedhjen e filmave për programin e njohur View From the World, një mori programesh tjera të kuruara posaçërisht për këtë edicion, si dhe të performancave muzikore.