Një nga programet më adrenalinë-nxitëse dhe që sfidon më së shumti kufijtë e zhanreve rikthehet në edicionin e 25-të të DokuFest. Fiction/Non-Fiction zë hapësirën gjithmonë burimore mes dokumentarit dhe filmit artistik, aty ku mjetet e rrëfimit bashkohen me fuqinë vëzhguese të dokumentimit dhe ku realiteti riformësohet vazhdimisht përmes imagjinatës, kujtesës dhe përvojës.

Përzgjedhja e sivjetme udhëton nëpër peizazhe fizike dhe emocionale: nga natyra e egër dhe botët nëntokësore te qytetet e papërfunduara, peizazhet e ëndrrave dhe territoret e shkatërruara nga lufta. Së bashku, këta filma eksplorojnë jetë të pezulluara mes kujtesës dhe ndryshimit, ku përkatësia, historia dhe mbijetesa rinegociohen vazhdimisht.

Cold Metal, me regji të Clemente Castor, një i ri zbret në thellësitë e tokës në kërkim të kujtimeve të humbura, ndërsa vetë peizazhi shndërrohet në një arkiv të gjallë të historisë personale dhe kolektive. Mare's Nest i Ben Rivers ndjek një fëmijë që endet në një botë misterioze, duke hasur mënyra të ndryshme të të jetuarit, ndërsa hedh hapat drejt një të ardhmeje të panjohur. Ndërkohë, Fantasy nga Isabel Pagliai na çon në një univers nokturn, ku vetmia, ëndrrat dhe dëshira shpërbëjnë kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës.

I Heard That They Are Not Going To See Each Other Anymore i Wong Ka Ki ofron një portret intim të dashurisë, mallëngjimit dhe fajësimit të vetes, duke ndjekur peizazhet e brishta emocionale që shfaqen kur marrëdhëniet fillojnë të shpërbëhen. Nga këto gjeografi të brendshme, The Seasons e Maureen Fazendeiro zgjerohet drejt rajonit të Alentejos në jug të Portugalisë, duke ndërthurur zërat e punëtorëve ruralë, arkeologëve, pamjeve amatore, legjendave, poezisë dhe folklorit në një portret të pasur të një vendi ku historia dhe miti bashkëjetojnë.

Pyetjet mbi shtëpinë, komunitetin dhe jetën në margjina vazhdojnë në Better Go Mad in the Wild të Miro Remo, ku vëllezërit binjakë Franta dhe Ondra përballen me mundësinë e dhimbshme të ndarjes, teksa ëndrrat e tyre për të ardhmen marrin drejtime të ndryshme. Në Promised Spaces, Ivan Marković shqyrton një tjetër formë të zhvendosjes, duke vënë përballë jetën e punëtorëve migrantë të ndërtimit me atë të banorëve të komplekseve luksoze që ata ndërtojnë, dhe duke zbuluar izolimin që fshihet brenda peizazheve urbane bashkëkohore.

Së fundi, The Voice of Hind Rajab nga Kaouther Ben Hania sjell një rindërtim rrëqethës të thirrjeve emergjente rreth gjashtëvjeçares Hind Rajab, e cila mbeti e bllokuar në një makinë nën zjarr në Gaza, në janar të vitit 2024. Përmes një zëri të vetëm që lufton të dëgjohet, filmi dëshmon një nga realitetet më tronditëse të kohës sonë.

Nga logjika e ëndrrave dhe fantazisë te dëshmitë urgjente të historisë së afërt, filmat e programit Fiction/Non-Fiction sfidojnë ndarjet konvencionale mes së imagjinuarës dhe reales. Së bashku, ata dëshmojnë se si kinemaja mund të banojë në atë hapësirë të pasigurt ku dokumentari dhe fiksioni jo vetëm që takohen, por edhe transformojnë njëri-tjetrin.