Programimin e këtij edicioni e patëm nisë me dy lufta në zhvillim. Kur mbërritëm në fazën e fundit, shpërtheu e treta, katastrofike në përmasa. Lufta sot nuk është më episodike. Është bërë e përhershme. Klimë e kohës tonë, e ushqyer nga lakmia dhe e strukur në një gjuhë që përpiqet ta justifikojë të pajustifikueshmen.

Titulli që e kemi zgjedhë nuk është tematik. Është konstatues. Lakmi Pafund Çmendi Boshllëk nuk është koncept. Është gjendje. Pasqyrim i vështirësisë për të menduar qartë përballë fatkeqësive të pafundme. Është dëshmi e paaftësisë tonë për të reaguar në mënyrë proporcionale ndaj gjithë kësaj llahtarie. 

Si festival filmi nga Kosova, i një shoqërie dhe konteksti të pasluftës, ne nuk mund të jemi dëshmitarë neutralë ndaj asaj që po ndodhë në botë. Ne vet kemi jetuar mes tmerrit. Ja njohim fort mirë gjuhën. Lufta që po shohim sot nuk është e re. Por ajo që është e re është sa shpesh po e hasim dhe sa shpesh po e shohim, dhe sa pak rëndësi po ka kjo gjë. Po kalojmë nëpër të me agoni përmes scrolls nëpër telefonat tanë mobil. Po e thithim padrejtësinë. Po jetojmë përmes kësaj plogështie të vazhdueshme. 

Hold Everything Dear, John Berger shkruan:
“Turpi, ashtu si po e kuptoj unë, është një ndjenjë specifike që... e gërryen aftësinë për me shpresu.”

Kjo është atmosfera në të cilën po punojmë. Me shpresë të gërryer. Me paralizë në të folur. Asnjëherë më parë nuk kemi hezitu kaq shumë për ta shpallë një temë. Jo sepse na mungon vizioni, por sepse kemi dyshimet tona në vetë vizionin. Cili është roli i artit, i kinemasë, i dokumentimi dhe diskutimeve? Nuk e bëjmë këtë pyetje retorikisht, por si kërkesë. Ia parashtrojmë vetes.

Programi i këtij viti është përpjekje për t’u përgjigjë, për t’i rezistu mpirjes, për ta shpëtuar gjuhën nga manipulimi. Për të këmbëngulur se akti i të treguarit, të dëgjuarit dhe të qenit bashkë vazhdon të ketë shumë rëndësi.

Sivjet, filmat, bisedat dhe muzikën i prezantojmë si protestë, si thirrje. Kundër boshllëkut. Kundër dëshirës për t’u shkëputur nga realiteti. Kundër përsëritjes së vazhdueshme të aktit të harresës.