05 March, 2024


Në këtë raport, Instituti GAP ka bërë një vlerësim të ndikimit ekonomik të DokuFest 2023 përmes mbledhjes së të dhënave parësore dhe dytësore dhe interpretimit të tyre në aspektin ekonomik. Të dhënat janë mbledhur përmes anketimit të pjesëmarrësve të festivalit lidhur me shpenzimet e tyre gjatë pjesëmarrjes në festival, që është kryer nga kompania e specializuar për mbledhjen e të dhënave UBO Consulting, duke i kategorizuar ata në dy kategori: si blerës të biletave dhe jo-blerës të biletave.

Raporti thekson se DokuFest ka bërë Prizrenin një destinacion tërheqës për turistët nga e gjithë bota. Ndër vite, interesimi i njerëzve dhe numri i pjesëmarrësve në festival ka qenë në rritje të vazhdueshme. Përveç pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në festival, DokuFest ka tërhequr mijëra vizitorë në qytet, të cilët vijnë edhe vetëm për të shijuar atmosferën dhe shpenzojnë për akomodim, ushqim, dhe aktivitete të tjera turistike. Kjo ka sjellur ndikim pozitiv në zhvillimin e sektorit të turizmit dhe njëkohësisht në aktivitetet e bizneseve vendore.

Sipas vlerësimit të Institutit GAP, përveç shumës së përgjithshme të shpenzuar, një ndër përparësitë kryesore të ndikimit ekonomik ka qenë edhe shpërndarja relativisht e barabartë e këtyre shpenzimeve nëpër sektorët e ndryshëm të vendit duke filluar nga industria e akomodimit, gastronomisë, transportit etj. Prandaj, organizimi i DokuFest 2023 ka shërbyer si një stimulues i rëndësishëm ekonomik jo vetëm i qytetit të Prizrenit, por i gjithë Kosovës.

Raporti poashtu thekson ndikimin substancial ekonomik dhe kulturor të Festivalit i cili ka tërhequr 16,756 vizitorë, me një pjesëmarrje të dukshme të vizitorëve ndërkombëtarë, duke kontribuar rreth 4 milionë euro në ekonomi, një rritje e konsiderueshme nga vitet pas COVID-19.  Bazuar në të dhënat e financimit dhe llogaritjet mbi ndikimin e festivalit në shpenzimet për konsum, del se për çdo 1 euro të investuar, janë gjeneruar 7.8 euro për ekonominë e Kosovës. Ndërsa, nëse analizohet kthimi në investime vetëm nga fondet publike, del se për çdo 1 euro të investuar, janë gjeneruar 22.8 euro. Ndikimi i festivalit u shtri përtej pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë, duke nxitur bizneset lokale dhe sektorin e turizmit.

Nga të dhënat e ATK-së për qarkullimin e bizneseve në Prizren, del se në periudhën kur është mbajtur edicioni i Dokufest 2023, gjatë muajit gusht, deklarimi i qarkullimit ka shënuar një vlerë rekord me 117 milionë euro vetëm gjatë këtij muaji apo rreth 26.4 milionë më shumë (29%) sesa në muajin korrik të po të njëjtit vit, 2023. Roli i DokuFest-it në pasurimin kulturor dhe stimuli i tij i konsiderueshëm ekonomik konfirmojnë rëndësinë e tij si një ngjarje e madhe kulturore në Kosovë dhe më gjerë.

Ndikimi ekonomik i DokuFest 2023 është llogaritur duke i mbledhur gjithsej shpenzimet e vizitorëve në DokuFest 2023, gjatë pjesëmarrjes së tyre. Të dhënat e shpenzimeve janë marrë nga rezultatet e anketës së realizuar për këtë analizë dhe janë shumëzuar me numrin e vizitorëve gjatë periudhës së festivalit. Rrjedhimisht, janë bërë dy llogaritje të ndikimit ekonomik: ndikimi në shpenzime për konsum si dhe ndikimi në bruto produktin vendor (BPV). Në tabelën më poshtë, janë shfaqur të dhënat e llogaritjeve të ndikimit ekonomik të festivalit që Instituti GAP ka bërë ndër vite. Bazuar në këto të dhëna, në vitin 2023, festivali kishte ndikimin të madh në konsum me rreth 4 milionë euro, dhe në BPV-në e vendit me mbi 2.8 milionë euro. Ndërsa ndikim më të ulët në konsum dhe në BPV e ka pasur gjatë vitit 2021, e që ishte e pritshme si rrjedhojë e situatës së rënduar që mbizotëronte në vend si pasojë e pandemisë COVID-19.


Raportin e plotë në gjuhën shqipe mund ta gjeni këtu