09 July, 2021


DokuFest ka shpallur sot programin e plotë të filmave të kategorive garuese për edicionin e 20-të, jubilar, që do të mbahet nga 6 deri më 14 gusht.

Të zgjedhura nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantoj 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese, duke shfaqur disa nga dokumentarët më të mirë si dhe një koleksion të shkëlqyeshëm të filmave të shkurtë dhe atyre eksperimentale, të prodhuar kohëve të fundit. Pothuajse të gjithë filmat që do të shfaqen në festival do të kenë premierat e tyre Kosovare, duke e bërë atë platformën më të madhe të shfaqjes së filmave në vend.

Nga përzgjedhja e pasur dhe e larmishme e filmave në konkurencë, ne jemi të kënaqur të mirëpresim një sërë kineastësh me punimet e tyre të reja dhe jemi njëlloj të entuziazmuar të prezantojmë disa nga zërat e rinj më të mirë dhe të ndritshëm të kinemasë, me filmat e tyre debutues.

DokuFest gjithashtu publikoi temën e festivalit që përmban tre fjalë, Re:set Re:mix Re:act, me një nocion qendror që në të vërtetë janë shkronjat RE në rrënjën e këtyre fjalëve. Kështu, festivali do të përpiqet të eksplorojë aspekte të shumëta tē këtyre fjalëve në kontekstin e botës që rishfaqet nga pandemia dhe riimagjinon veten në një situatë të re. Një numër filmash gjithashtu do të jenë në linjë me temën dhe ne jemi të ngazëllyer për të gjetur mënyra për ta sjellë audiencën tonë në bashkëbisedim rreth temës. Tema do të reflektojë gjithashtu në identitetin vizual dhe kampanjën promovuese, e që do të shpaloset në ditët në vijim.

Në sajë të përmirësimit të situatës me Covid-19 në Kosovë, të gjithë filmat në garë pritet të kenë shfaqjet e tyre në kinematë me audiencën. Një numër i zgjedhur filmash do të paraqiten gjithashtu edhe në platformën online të festivalit.

Përveç programit të shpallur tashmë që feston 20 vjetorin e festivalit, të titulluar 20 For 20: Replay, si dhe programin e filmave që kanë të bëjnë me muzikë, me titull Sonic Experiments: Music on Film, DokuFest do të vazhdojë të bëj publike programe të tjera nga lista e tij e plotë në ditët në vijim.

Edicioni i 20-të i DokuFest zhvillohet nga 6 deri më 14 gusht në të gjithë qytetin historik të Prizrenit dhe në platformën online.

“Ne jemi të entuziazmuar që po kthehemi me një tjetër program eklektik që sigurisht do të habisë, mahnitë, prekë dhe do të nxisë audiencën tonë,” thotë Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i DokuFest-it. “DokuFest vazhdon të jetë i përkushtuar në sjelljen e më të mirës së kinemasë botërore në Prizren dhe në Kosovë, dhe të jesh në gjendje të prezantosh edhe një herë vepra me cilësi të jashtëzakonshme, si nga kineastët në zhvillim, ashtu edhe nga mjeshtrat, përbën një dhuratë të shkëlqyer në këto kohëra të çuditshme dhe të vështira.”


PROGRAMET GARUESE:

BALKAN DOX

INT’L DOX: FEATURES

INT’L DOX: SHORTS

INT’L SHORTS

NATIONAL

HUMAN RIGHTS DOX

GREEN DOX

TRUTH DOX