15 November, 2022
DokuFest për 9 vite radhazi organizon eventin ‘Young Audience Award’ (YAA) kategori garuese e Çmimeve te Filmit Evropian nga Akdemia e Filmit Evropian, e dedikuar enkas për ‘audiencen e së ardhmes’ ose më saktësisht për group-moshën 12-14 vjeç.

Tre filma – dy filma të metrazhit të gjatë dhe një dokumentar – u përzgjodhën nga Akademia Evropiane e Filmit dhe për herë të parë nga një juri filmash e përbërë nga pesë ish-pjesëmarrës të ‘YAA’ të moshës 13 deri në 14 vjeç, duke përfshirë edhe Riana Gashin nga Kosova. Filmat e nominuar ishin: ‘Animal’ nga Cyril Dion (Francë 2021, 105'), ‘Comedy Queen’ nga Sanna Lenken (Suedi 2022, 93'), ‘Dreams Are Like Wild Tigers’ nga Lars Montag (Gjermani 2021, 95').

Këtë vit eventi morri formë hibride, duke zhvilluar diskutime fizike dhe online për filmat e nominuar. Për eventin online me thirrje të hapur paraprakisht janë ftuar nxënesit e moshës 12-14 vjeç nga e gjithë Kosova, ndërkaq për eventin fizik, që është zhvilluar në hapësirat e DokuKino, kanë qenë të pranishëm 70 nxënës nga shkolla ‘Mati Logoreci’ dhe ‘Gjimnazi Loyola’, të komunës së Prizrenit. Pas filmave u mbajtën diskutimet me studentët, të udhëhequra nga ekipi i DokuFest. Ata po ashtu ndoqën diskutimet me regjisorët që u transmetuan e drejtpërdrejtë nga faqja zyrtare e ‘YAA'.

Pas numërimit të votave që u dhanë nga juritë pas shfaqejeve dhe diskutimeve ‘YAA’ njoftoi se ‘Animal’ nga Cyril Dion është fituesi i çmimit të Young Audience Award 2022. Filmi fitues ndjek historinë e dy adoleshentëve që fillojnë një udhëtim të jashtëzakonshëm: të gjejnë një mënyrë tjetër për të jetuar përkrah specieve të tjera. Jo si predator por si miq.

Në fund të ditës juritë morrën çertifikata për pjesëmarrjen në këtë event.