26 July, 2024


Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb  nga regjizori legjendar Stanley Kubrick do të hapë festivalin të premten, më 2 gusht, në kinemanë Lumbardhi pas ceremonisë së hapjes.

Interpretimi komik i Stanley Kubrick mbi ankthin e Luftës së Ftohtë është një nga satirat më të ashpra të marrëzisë njerëzore që ka dalë ndonjëherë nga Hollywood-i. Aktori i jashtëzakonshëm Peter Sellers luan tre role krejtësisht të ndryshme: Kapitenin e Forcave Ajrore Mbretërore, Lionel Mandrake, që përpiqet me çdo kusht të ndalojë një sulm bërthamor ndaj BRSS-së, të urdhëruar nga një gjeneral i krisur (Sterling Hayden); Presidentin amerikan të pafuqishëm dhe gjithmonë të hutuar, Merkin Muffley, që duhet t’i japë lajmin e keq kryeministrit sovjetik; dhe vetë Strangelove-in, një këshilltar presidencial në karrocë dhe me një të kaluar naziste. Duke gjetur humor në pothuajse çdo situatë të paimagjinueshme, Dr. Strangelove or: How I Learned to Stop Worrying and Love the Bomb është një kryevepër subversive që zyrtarisht e shpalli Kubrick-un si një stilist të paarritshëm dhe ironist të zymtë.

Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve, festivali do të mbyllet me shfaqjen e filmit Rrugës, filmit të shkurtër më të ri të kineastit të mirënjohur kosovar Samir Karahoda.

Të frymëzuar nga ngjarje të vërteta, një regjisor dhe djali i tij, Miron (13), bashkëpunojnë për një skenar që gërsheton përvojat e tyre personale dhe elementet autobiografike me shqetësime më të mëdha për vendin e tyre.

Teksa nisen për në aeroport për të marrë një dhuratë nga kumbari i djalit, ata ndeshen me pengesa burokratike që lënë të kuptohet për stagnimin e përparimit politik dhe shoqëror në atdheun e tyre. Ky udhëtim i shkurtër evoluon në një eksplorim të thellë të lidhjes së tyre në sfondin e sfidave shoqërore dhe pasigurisë që lind mbi të ardhmen e tyre.