20/07/2020


DokuFest ka shpallur sot programin e plotë garues të filmave për edicionin e 19, i cili për herë të parë do të mbahet në sferën digjitale nga data 7 deri me datën 25 Gusht, në një platformë online të krijuar enkas për këtë edicion, në bashkëpunim me Festival Scope dhe Shift72.

Gjithsej 90 filma të cilët vijnë nga 51 vende të botës do të konkurrojnë në 8 seksione garuese. Në mesin e tyre, gjenden edhe 8 filma të cilët janë pjesë e programit garues të ri TRUTH, për filmat mes zhanrit të dokumentarëve dhe gazetarisë hulumtuese. Jemi të kënaqur që një numër i filmave që janë në garë, janë ose premierë ose filma të dytë të filmbërësve, gjë që e bën përzgjedhjen e sivjetme një hapësirë për t’u eksploruar.

Për më tepër, jemi jashtëzakonisht krenarë që këtë vit do të prezantojmë një film të një regjisoreje kosovare i cili është pjesë i garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë, e që shënon herën e parë dhe një arritje në historinë 19 vjeçare të festivalit tonë.

“Të kohës, të rëndësishëm dhe inovativë, kështu do t’i përshkruaja disa nga filmat e programit garues të sivjetmë”, u shpreh Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i festivalit. “Edhe në këto kohë të vështira, DokuFest vazhdon misionin e tij për të sjellur më të mirën dhe më të shkëlqyeshmen nga fusha e filmit bashkëkohor tek audienca e Kosovës dhe më gjerë.”

PROGRAMET GARUESE:


GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMBËTARË

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR

GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT

E VËRTETA

GARA KOMBËTARE