Një tjetër edicion i suksesshëm i DokuFest-it u mbyll me shpalljen e filmave fitues në kategoritë përkatëse. Mbrëmjen e së shtunës, në Kino Lumi në Prizren, para mysafirëve, anëtarëve të jurisë, sponsorëve dhe partnerëve, u shpallën filmat më të mirë garues dhe filmi i preferuar nga publiku.

Për nëntë ditë, festivali prezantoi 213 filma, mikpriti 9 performanca, 8 diskutime, 4 masterklasa dhe 6 punëtori9 kinema dhe hapësira të improvizuara nëpër qytet, përfshirë edhe ambientet e ITP-së.

Në vazhdim të angazhimit për të adresuar sfidën e shpërndarjes ndërkombëtare të filmave të prodhuar në Kosovë, DokuFest vazhdoi bashkëpunimin me Radiator IP Sales. Ky partneritet bën të mundur që filmat e Garës Kombëtare të merren në konsideratë për shpërndarje ndërkombëtare. Çmimi i Shpërndarjes këtë vit iu dha filmit “Ndera” nga Endrit Qarolli, shpallur nga z. Ben Bekke Vandendaele i Radiator IP Sales.

Çmimi i Publikut, sponsorizuar nga ProCredit Bank, festoi 21-vjetorin e partneritetit me DokuFest-in. Ky çmim iu dha filmit më të pëlqyer nga publiku nga një përzgjedhje prej 10 filmash. Fitues këtë vit ishte “Palace of Youth” nga Maddie Gwin.

Si pjesë e programit DocYouth Alliance – Youth Connecting Through Cinema, në bashkëpunim me Beldocs, një grup të rinjsh nga Kosova dhe Serbia morën pjesë në Jurinë e të Rinjve. Ata patën mundësinë të shikonin e vlerësonin pesë filma me tema rinore, duke zgjedhur si fitues filmin “Coexistence My Ass” nga Amber Fares.

Gara Balkan Dox, një nga pikat kulmore të festivalit, këtë vit solli një risi me krijimin e çmimit të ri Best Balkan Short Dox, për të vlerësuar potencialin e formatit të dokumentarit të shkurtër. Fitues ishte regjisori shqiptar Adrian Paci me filmin “Merging Bodies”, ndërsa Special Mention iu dha filmit “Antigona” nga Ibër Deari dhe Mirsad Abazi.

Special Mention në Balkan Dox iu dha filmit “Soil and Wings” nga Stefan Malešević, ndërsa çmimi Best Balkan Dox shkoi për “A Strange Colour of Dream” nga Yasemin Akinci.

Në garën Green Dox, Special Mention iu dha filmit “May the Soil Be Everywhere” nga Yehui Zhao, ndërsa çmimin kryesor e fitoi “Shifting Baselines” nga Julien Elie.

DokuFest shprehu falënderim të veçantë për Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, e cila prej një dekade mbështet programin për të Drejtat e Njeriut dhe iniciativat mbi drejtësinë tranzicionale. Këtë vit, zëvendësambasadori Christoph Fuchs ndau Çmimin Human Rights Dox për filmin “My Dear Theo” nga Alisa Kovalenko.

Si një nga festivalet partnere të Akademisë, DokuFest çdo vit nominon një film të shkurtër për çmimin kandidat European Short Film - Prix Vimeo, për edicionin e 38-të të European Film Awards. Këtë vit, ky nder iu dha filmit “Masterpiece Mommy” nga Dorothy Sing Zhang, ndërsa Best International Short Film shkoi për “Blue Heart” nga Samuel Suffren.

Çmimi International Short Dox iu dha filmit “We Were the Scenery” nga Christopher Radcliff, ndërsa në garën International Feature Dox, fitues u shpall “Action Item” nga Paula Ďurinová, shpallur nga Ambasada e Suedisë në bashkëpunim me Sida.

Gara Kombëtare u mbyll me shpalljen e fituesit Best National Film, ku u nderua filmi “SOS” nga Anita Morina, shpallur nga Hajrullah Çeku, ministër në detyrë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. 

Një nga risitë e këtij viti ishte Forumi i Parë Ballkanik për Filma të Shkurtër, falë mbështetjes së Ambasadës së Suedisë, Sida-s, Ministrive të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qendrave Kinematografike të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. U prezantuan tetë projekte premtuese, me fitues që morën gjithsej 5,500 € çmime monetare, krahas shpërblimeve nga partnerë ndërkombëtarë të festivalit.

Gjithashtu, bashkëpunimi me GIZ Gjermani dhe ITP u thellua me programe të reja që frymëzojnë krijimtarinë e të rinjve, ndërsa iniciativa DokuKids u zgjerua me punëtori të reja nga Cacttus Education dhe IPKO.

Lista e plotë e fituesve të këtij edicioni dhe deklaratat e jurisë:

Balkan Dox
Filmi fitues (Feature): A Strange Colour of Dream – Yasemin Akinci
Deklarata e jurisë: Për zbulimin e fytyrës njerëzore të arkitekturës, përmes një personazhi të pasur me shtresa – një vizionar i zhytur në botën e ndërtuar prej tij, por edhe një qytetar plotësisht i përgjegjshëm. Një histori e rezistencës së heshtur dhe e kujtimeve që mbijetojnë shembjet.

Përmendje e veçantë (Feature): Soil and Wings – Stefan Malešević
Deklarata e jurisë: Për portretizimin e një familjeje të ndjeshme, ritmi i butë i jetës së së cilës është i mbushur me spiritualitet të heshtur. Dokumentari kap të shenjtën në të zakonshmen, përmes një vështrimi meditues.

Filmi fitues (Short): Merging Bodies – Adrian Paci
Deklarata e jurisë: Pamjet e kompozuara me kujdes, ritmi i ngadaltë i montazhit dhe pamjet e kornizuara në mënyrë të përsosur të trupave të punëtorëve dhe materialeve krijojnë një koreografi trupash të shkrirë e të fragmentuar.

Përmendje e veçantë (Short): Antigona – Ibër Deari dhe Mirsad Abazi
Deklarata e jurisë: Për sjelljen para publikut të një gruaje të fortë dhe autentike, të portretizuar me një vëzhgim të sinqertë e prekës, ky dokumentar mishëron parimin “më pak është më shumë”, duke lënë një përshtypje të qëndrueshme.

International Feature Dox
Filmi fitues: Action Item – Paula Ďurinová
Deklarata e jurisë: Vendosëm të vlerësojmë një film ambicioz e inovativ në formë dhe gjuhë kinematografike. Me një qasje që pasqyron përvojën e personazheve të tij, filmi na bëri të ndiheshim herë të magjepsur, herë të shqetësuar, të frustruar e në fund të mahnitur – një ndikim fizik që e kuptuam vetëm sepse e ndjemë fillimisht në trupin tonë. Action Item jo vetëm që arrin të diagnostikojë një problem të pashprehur që prek një brez të tërë të rinjsh, por përdor mjetet e kinemasë për të ofruar një propozim të qartë për rezistencë ndaj pasojave psikologjike dhe emocionale të shtypjes sistemike: veprimin kolektiv si përgjigje ndaj pushtetit.

International Short Dox
Filmi fitues: We Were The Scenery – Christopher Radcliff
Deklarata e jurisë: Ne zgjodhëm një film që nuk është i ndërlikuar, por i thellë; një film që e rikthen historinë përmes një këndvështrimi thellësisht personal, me një ndjesi të butë humori, ironie dhe një qasje të patundur dekolonizuese. Përmes pamjeve amatore e atyre arkivore, si dhe montazhit mjeshtëror, ai kap diçka thelbësore dhe ndriçuese mbi peizazhin bashkëkohor historik e kinematografik, duke ofruar një vështrim prapa skenave të një realiteti të dominuar nga media, dhe kështu zbulon se si mediatizimi i historisë, për ta cituar Karl Marx-in, ka prirjen ta përsërisë tragjedinë e asaj historie si farsë.

Green Dox
Filmi fitues: Shifting Baselines – Julien Elie
Deklarata e jurisë: Juria e Green Dox vendosi ta vlerësojë këtë film për mënyrën sesi sjell një perspektivë të re mbi krizën klimatike, duke u fokusuar tek nivele të reja të kolonizimit në shkallë planetare. Me humor të zi, filmi shpalos besimin mesianik dhe iluzionin teknologjik se pushtimi i fronteve të reja do të zgjidhë problemet e Tokës. Estetika e sci-fi pas Luftës së Dytë Botërore ndërthuret në mënyrë të përsosur me gjuhën vizuale të filmit.

Përmendje e veçantë: May The Soil Be Everywhere – Yehui Zhao
Deklarata e jurisë: Për një rrëfim shumë të ndershëm e personal, që shtrihet në probleme më të mëdha si kriza klimatike, tensionet mes urbanes dhe rurales, politika dhe historia e një toke të madhe perandorake si Kina.

Human Rights Dox
Filmi fitues: My Dear Theo – Alisa Kovalenko
Deklarata e jurisë: My Dear Theo është letra e guximshme e dashurisë nga vijat e frontit e Alisa Kovalenkos. Si nënë, ushtare dhe regjisore, ajo kap momente të butësisë dhe njerëzores në mes të luftës, duke krijuar një dëshmi të fuqishme për dashurinë dhe gjithçka që është në rrezik.

International Shorts
Filmi fitues: Blue Heart – Samuel Suffren
Deklarata e jurisë: Vendosëm të vlerësojmë një film që trajton mërgimin për ata që mbeten. Me kinematografi të përkryer, filmi portretizon vetminë e një çifti të moshuar, gati të ngrirë në kohë, në një shoqëri që ecën me ritëm tjetër. Lëvizjet e kamerës ndjekin personazhet në mënyrë dokumentare, duke nxjerrë në pah dimensionin intim dhe atë publik – heshtjen e shtëpisë përballë zhurmës së qytetit. Kompozimet e forta vizuale rrisin peshën dramatike të tregimit, duke reflektuar mbi ashpërsinë e shoqërisë dhe politikës së sotme që ndan familjet dhe kthen prindërit në bij.

Nominim për Best European Short Film: Masterpiece Mommy – Dorothy Sing Zhang
Çmimi i Publikut (SLANTED & ENCHANTED: MUSIC ON FILM): Palace of Youth – Maddie Gwin
Best Youth Film Award: Coexistence My Ass – Amber Fares
Distribution Award (Gara Kombëtare): Ndera – Endrit Qarolli