Më 6 gusht, Kalaja e Prizrenit kthehet në vendtakimin e kompozimeve që sfidojnë dhe thyejnë kufijtë: midis akustikës dhe elektonikës, urbanes dhe rurales, tradicionales dhe bashkëkohores. I pari që do të performojë është muzikanti franko-iranian që vepron në Paris, Cinna Peyghamy, pasuar nga e talentuara Andra Kryeziu (YAAND) nga Kosova dhe në fund artisti multidisiplinar muzikor që vepron në Berlin, Justin Robinson (urbau).

Cinna Peyghamy
Një artist ambicioz që nuk mund të rrijë pa eksploruar rrugë të reja të dizajnit eksperimental të tingullit dhe improvizimeve jashtë kornizave, Cinna Peyghamy është perkusionist, kompozitor dhe producent me origjinë nga Franca dhe Irani, dhe një talent për të papriturën.Ndërsa puna e tij e mëparshme është përcaktuar nga ritme të fragmentuara, melodi të ashpra dhe ndryshime të papritura humori, projektet e tij të fundit, siç është EP-ja fantastike e vitit të kaluar The Skin in Between, përqendrohet në transformimin në kohë reale të tingujve akustikë, duke kombinuar tombakun, një instrument tradicional perkusioni, që hulumton pafundësitë e sintetizuesit modular. Rezultati është krejt i veçantë: një udhëtim hibrid, në zhvillim e sipër nëpër kohë dhe hapësirë, që ndërton një dialog midis tradicionales, bashkëkohores, elektronikes dhe natyrales.

YAAND
E lindur në Kosovë, për momentin duke vepruar dhe jetuar në Berlin, Andra Kryeziu (YAAND) është një artiste eksperimentale, producente, kompozitore dhe performuese që bashkon kompozime bashkëkohore të veçanta me estetikën e hiperpopit dhe elektronikës. Me fokus në glitch dhe pa frikë të çarmatoset me diskordancën, muzika e YAAND është prezentuar në festivale të ndryshme, përfshirë Festivalin ECLAT, Bienalen e Mynihut, Darmstädter Ferienkurse dhe shumë të tjera. Ka fituar disa bursa dhe çmime, përfshirë Çmimin e 69 të Composition Prize of the City of Stuttgart 2024, Çmimin e Contemporary Arts Alliance Berlin dhe Akademinë Musik Theater Heute of the Deutsche Bank. Tejet të lumtur që YAAND po kthehet në Kosovë të na e dëshmojë se është një nga talentet më fantastike në skenën alternative.

urbau
Vepra e kompozitorit të mediave, artistit audiovizual dhe edukatorit që vepron në Berlin, Justin Robinson, përfshin kompozime për ansambël dhe orkestër, duke u shfaqur në Bienalen e Venecias dhe Ars Electronica. Megjithatë, si urbau, ai fokusohet në ndërthurjen mes peizazheve industriale të zërit dhe zhurmës. Përmes përpunimit të vazhdueshëm të burimeve akustike dhe sintetizës elektronike, performancat e tij audiovizuale ndërtojnë arkitektura tingujsh dhe vizuale reaguese që eksplorojnë marrëdhënien midis shkatërrimit industrial dhe abstraktit digjital. Si rezultat, do të përjetojmë shtrembërime të rrëmbyera dhe kompozime medituese që përplasen me njëra tjetrën, me urbau-n që përzien me mjeshtëri botën digjitale me atë materiale.