31 October, 2023


AFATI I FUNDIT PËR APLIKIM ËSHTË 28 SHKURT 2024.

Thirrja për aplikim në festival është i hapur për filmat e shkurtë dhe të metrazhit të gjatë dokumentar si dhe për filmat fiksion, të animuar dhe eksperimental. Edicioni i radhës i festivalit do të mbahet nga datat 2 -10 gusht 2024 në Prizren, Kosovë.

Filmbërësit mund të aplikojnë me filmat e tyre vetëm përmes platformës tonë online.

Për të aplikuar dhe për të mësuar më shumë rreth rregullave dhe kritereve për aplikim në festival, ju lutem vizitoni faqen tonë për aplikim.

“Ne kërkojmë vepra të reja të pavarura që eksplorojnë kufijtë, sfidojnë audiencën, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet."

DokuFest është festivali më i madh i filmit në Kosovë. I renditur si një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore dhe i votuar dy herë si Top 25 Festivalet më të bukura të Filmit nga Filmmakers Magazine, çdo vit festivali mbush kinematë rreth qendrës historike të Prizrenit me një përzgjedhje prej më shumë se 200 filma nga e gjithë bota.

I themeluar në vitin 2002, me synimin për të rigjallëruar kinemanë dhe jetën kulturore në Prizren, DokuFest u rrit dhe u zgjerua në ngjarjen më të madhe kulturore në vend dhe një nga festivalet më të mira të filmit dokumentar dhe të shkurtër në Evropë. Që nga viti 2019, DokuFest është në listën e festivaleve kualifikuese për BAFTA, çmimin e filmit të shkurtër të Akademisë Britanike të Filmit dhe në vitin 2022 DokuFest u ftua nga Akademia Evropiane e Filmit për t'iu bashkuar 28 festivaleve të tjera të filmit për nominimin e një filmi të shkurtër për Çmimet prestigjioze të Filmit Evropian.