Të dashur miq,

Teksa përpiqem të shkruaj këtë letër mirëseardhjeje në këto kohë pasigurie, nuk mund të mos kthehem disa muaj prapa te një tjetër sfidë, ajo e stuhisë së mendimeve dhe vendimit për temën e festivalit. Në fund, vendosëm një të zymtë, të trishtuar dhe diagnostikuese. E quajtëm Endless Greed Mental Void: një lloj pasqyre e botës në të cilën po jetojmë.

Në programin e këtij viti dhe në shumë prej filmave të përzgjedhur, do të gjeni sfida të panumërta, madje edhe më shumë pasiguri e vuajtje: nga fronti i luftës në Ukrainë deri te brigjet e Cape Verde, nga kënetat e Kubës në Everglades, deri te Shkretëtira e Atacamas dhe shpellat e lakuriqëve të natës në Kinë.

Fytyra të paharruara të nënave që akoma i kërkojnë e vajtojnë të pagjeturit e tyre në Sri Lanka, një nënë në panik që kërkon fëmijën e saj të ndarë në kufirin jugor të SHBA-së, një nënë tjetër e zhdukur e një fëmije në zonat rurale të Kinës, apo edhe nëna e zhdukur e një regjisori diku në Irlandë. Dhe shumë e shumë të tjerë!

Sfida individuale e kolektive. Vuajtje të thella e shqetësuese. Me ca rreze gëzimi aty-këtu.

Tregime aq të fuqishme e regjisorë aq trima sa që të shikosh këta filma e të ndërtosh këtë program të fuste ndjenjën e tmerrit dhe të bekimit në të njëjtën kohë. Sepse të krijosh filma, të flasësh, madje edhe të mendosh është bërë mjaft e vështirë sot me praninë e aq shumë sfidave dhe vuajtjeve të mëdha.

Ne filluam programimin e këtij edicioni me luftëra të shumta që po zhvilloheshin. Bombardimet një dukuri e përditshme, vdekja e kudondodhur gjatë pritjes në radhët e ushqimit në Gaza dhe spitalet vendet më vdekjeprurëse. Dhe ende nuk po i duket fundi kësaj çmendurie. Kjo ishte atmosfera në të cilën po punonim. Në një botë ku zgjedhja për të mos folur kundër padrejtësisë po shndërrohet në normë. Mpirja në një dukuri të përditshme. Shpresa në një të largët.

Programi i këtij viti është përpjekje për t’i rezistuar kësaj mpirjeje. Për ta rimarrë gjuhën nga manipulimi. Për të insistuar që akti i tregimit, dëgjimit, dhe mbledhjes, ka rëndësi akoma, dhe se festivalet si ky kanë rëndësi, pavarësisht gjithçkaje dhe përkundër të gjitha pengesave.

Prandaj, do përmbahem nga të shkruarit në mënyrë specifike për filmat dhe ngjarjet dhe gjithçka tjetër që është pjesë e festivalit për të cilat zakonisht shkruaj në raste të tilla. Në vend të saj, po e lë që ju vetë t’i zbuloni të gjitha.

Ju ftoj ta përjetoni festivalin duke ju ofruar këta filma, biseda dhe muzikë, me shpresën se, duke e bërë këtë, ju do të shpërbleheni po aq sa ne u shpërblyem duke e përgatitur atë.

Mirënjohja ime e përzemërt shkon për të gjithë njerëzit e jashtëzakonshëm që e kanë bërë të mundur këtë udhëtim të bukur e këtë ëndërr tonën: sponsorët dhe partnerët tanë bujarë, ekipin e përkushtuar të DokuFest, dhe të gjithë vullnetarët tanë të mrekullueshëm. Si dhe regjisorët e artistët që ndanë veprat e tyre me ne këtë vit. Jemi shumë të vetëdijshëm se ky festival nuk do të ishte i mundur pa ju. Faleminderit!

Gëzuar për një festival të mrekullueshëm për të gjithë ne!

Veton Nurkollari
Drejtor artistik