22 August, 2020


European Film Awards është më shumë se një ngjarje vjetore që shpërblen historitë vizuale të arritjeve të  konsiderueshme  kinematografike.  Para  së  gjithash,  është  një  festë  e  komunitetit  evropian  të kinemasë dhe kulturës europiane të filmit. Për edicionin e 19-të të DokuFestit, u përgatit një program i veçantë për të paraqitur disa nga filmat e shkurtër të përzgjedhur nga gara prestigjioze. Ajo që e bën përzgjedhjen edhe më të pasur, janë vendet e ndryshme në të cilat filmat janë prodhuar ose xhiruar, duke e bërë kategorinë në fjalë një shëtitje të jashtëzakonshme, qoftë vizuale, qoftë kulturore, nga një vend i Europës në tjetrin, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve fizike.

EGG, Francë & Danimarkë

Ndërkohë që teknika e animacionit 2D bardh e zi është estetikisht e këndshme për t’u shikuar, stili nganjëherë të bën të mendosh për veprat tradicionale japoneze nga perspektiva e një europiani perëndimor. Kësisoj, derisa nuancat e teknikës së artit e bëjnë udhëtimin edhe më tërheqës dhe kompleks, ai shoqëron rrugëtimin brenda kokës së një personi që lufton me çrregullime mendore. Edhe pse limitet e jashtme në formën e një kubi të bëjnë të mendosh ndryshe, personazhi ndihet i lirë të ekzistojë i pakufizuar dhe i bllokuar në të njëjtën kohë, duke e bërë filmin 13 minutësh të Martina Scarpelli një projektim të ndjeshëm se si duket një hapësirë e sigurt brenda hapësirës mendore të një personi. Sidoqoftë, duke imituar tendencat e paqëndrueshme të personazhit kryesor, filmi i shkurtër është gjithashtu një kremte e çuditshme për atë që na bën ne njerëz, ky "përkeqësimi i parë" si kujtesë se sa pak i duhet personit që të pësojë një kthesë kundër rrugëtimit që
ka zgjedhur (nganjëherë mjafton vetëm diçka në përmasën e një veze për të përmbysur situatën), dhe sa ngazëlluese duhet të jetë për të kuptuar se nuk është ajo që duket, por është ajo që ne e bëjmë të duket.

PATISION AVENUE, Greqi

Më e qartë se sa zgjedhjet e tjera të kësaj liste, ky film na çon në rrugët marramendëse të Athinës, gjithnjë të copëtuar midis lavdërimeve të vazhdueshme nga komuniteti evropian dhe më gjerë për shkak të trashëgimisë kulturore, dhe dënimit nga ndjesitë e njerëzve që jetojnë në të. Ndonëse nuk shohim shumë nga nëna e Yannit pos shpinës dhe stilit të flokëve, zëri i saj shpues manifeston në masë të madhe të gjitha emocionet nëpër të cilat ajo kalon, nga entuziazmi tek paniku i cili ngadalë degradon në dëshpërim, ndërkohë që detyron audiencën të ndjekë me vëmendje atë nga afër në çdo lëvizje që bën. Xhirimi i vetëm dhe pothuajse i pa edituar nga Thanasis Neofotistos tregon historinë e një individi të zakonshëm që përpiqet të plotësojë detyrimet morale të ekzistencës së saj, megjithatë, trazirat e saj të brendshme së shpejti do të pasqyrohen në çdo cep të rrugës ku kalon. Ritmi është i shpejtë, gjersa lidhjet që bashkojnë njeriun me mjedisin e tij shoqëror të dyja pushojnë së ekzistuari.

HARD ON, Stokholm

Në këtë film të shkurtër, kurioz e të çuditshëm të regjisores Joanna Rytel, skenografia sureale mund të ndihet si një përzierje midis një animacioni të lëvizshëm dhe një versioni të veçantë të mbrujtur të realitetit. Brenda skenës teatrale të dekoruar në shtëpi kukullash, maskat e personazheve shërbejnë më shumë për të eliminuar konventat sociale dhe konsideratat e komunikimit. Nëna bisedon me vajzën e saj për gjithçka dhe asgjë, megjithatë, kur prezantohet një personazh i tretë, zhvillohen dy diskutime të ndryshme në dy gjuhë të ndryshme. Prandaj, dy këndvështrime të ndryshme fillojnë të gërshetohen në të njëjtin ambient: një grua e
re, 30-vjeçare është duke shijuar takimin e saj në prani të një fëmijë për të cilën duhet të kujdeset, dhe nga ana tjetër një vajzë e re është vazhdimisht në kërkim të vëmendjes së nënës së saj, ku kjo e fundit harrohet për shkak të qëllimeve të orientuara nga kënaqësia të mamasë. Të dy historitë i mban të bashkuara një premtim, ai i një qeni. Në këtë film, përdorimi i dykuptimtë i kamerës e bën atë njëkohësisht mikun dhe armikun, shoqëruesin gjatë kësaj përvoje dhe ndërhyrësin, drejtuesin e shfaqjes dhe viktimën e nënshtruar.

THE CHRISTMAS GIFT, Rumani & Spanjë

Përshkrimi i jep filmit një përshtypje të parë të këndshme dhe me nota humori. Kush nuk do të dëshironte të shikonte një film për një fëmijë të vogël duke i shkruar një letër Babadimrit për Krishtlindjet? Sidoqoftë, për njerëzit që nuk i njohin sfidat e Europës Jugore dhe Europës Juglindore, vepra e Bogdan Mureşanut më vonë shndërrohet në një dramë tronditëse. Ndërkohë që fëmija kërkon nga Babadimri si dhuratë vdekjen e Ceaușescut,
sepse "kjo është ajo që dëshiron babai im", situata nuk mund të merrte asgjë tjet ër veç të tatëpjetën, duke ditur tensionin social në Rumaninë socialiste të vitit 1989. Mes shumë gjërave të tjera, ky film i shkurtër është më së shumti një pohim shumë i thjeshtë, por megjithatë i dobish ëm për të kuptuar hendekun ekzistues midis pafajësisë rinore dhe hidhërimin e më të rriturve në kohët e totalitarizmit.