09 August, 2020


Katërmbëdhjetë pjesëmarrës të programit të këtij viti “Future Is Here” (E ardhmja është këtu) kanë realizuar tetë filma të shkurtër. Këta filma shfaqen në mbarë botën përmes platformës online të edicionit të sivjetmë të DokuFest. Udhëheqësi i DokuLab, Eroll Bilibani flet për të gjitha sfidat me të cilat janë ballafaquar për ti krijuar këta filma.

DokuStories: Studentët e shkollës së filmit të programit të sivjetmë “Future Is Here” kanë përfunduar tetë filma. Cilat ishin sfidat kryesore duke pasur parasysh pandeminë?

Eroll Bilibani: Pavarësisht pandemisë, mbylljes dhe të gjitha pengesave me të cilat jemi përballur gjatë periudhës së produksionit, katërmbëdhjetë student të shkollës së filmit “Future Is Here” ishin më të vendosur së kurrë për t’i përfunduar filmat e tyre të shkurtër, të cilët ne do t’i shfaqim me krenari në mbarë botën përmes platformës sonë të edicionit online të DokuFest. Edhe pse jemi përballur me një sfidë si kurrë më parë, shpirti kolektiv i studentëve tanë adoleshent të udhëhequr nga tutorja e tyre Blerta Zeqiri dhe Andrijana Stojkovic, ia dolën të sjellin në dritë një varg të gjerë të historive emocionuese të cilat kërkojnë vëmendjen e pashkëputur të audiencës. Programi i cili fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në periudhën mes të janarit-qershorit 2020 u pengua për shkak të pandemisë dhe mbylljes. Kjo e ndryshoi mënyrën tonë të veprimit dhe qasjen e punës me ekipe të veçanta. Në fund, edhe pse shumë ngushtë me kohën, ne ia dolëm të përfundojmë të gjithë filmat disa ditë para se të fillonte festivali.

DS: A u vështirësua procesi krijues nga mbyllja dhe pengesa të tjera? Si ia dolët t’i tejkaloni këto vështirësi?

E.B.: Po! Ekzistonin projekte specifike të cilat kërkonin hulumtim të thuktë dhe një numër intervistash, të cilat fatkeqësisht nuk janë realizuar. Studentët tanë me maturi gjetën zgjidhje alternative që ua mundësuan plotësimin e tregimeve të tyre pavarësisht të gjitha pengesave.

DS: Çfarë historish sjell program i sivjetmë i “Future is Here”?

E.B.: Të gjitha rrëfimet e studentëve tanë janë personale, megjithatë ato prekin çështje universale. Jemi posaçërisht krenar me llojllojshmërinë e temave që këta filmbërës të rinj e të talentuar kanë trajtuar. Ndryshimi klimatik, dhuna në familje në baza gjinore, plagjiatura në ekosistemin akademik në Kosovë, ndikimi i Teknologjisë Digjitale në shëndetin mendor të fëmijëve janë vetëm disa nga temat që janë eksploruar nga këta talent të rinj. Gjëja më e habitshme me këtë gjeneratë të filmbërësve të rinj ishte ndjenja e tyre e solidaritetit dhe mbështetja për njëri tjetrin.

DS: Pse janë interesant për audiencën këta filma të shkurtër?

E.B.: Këta filma do të përdoren në programin tonë arsimor, dhe do t'u ipen mësuesve për përdorim në klasë dhe do të mundësojnë një arritje më të lartë të nxënësve; kuptim më të thellë të çështjeve komplekse dhe promovim të zhvillimit shoqëror. Bashkë me mësuesit, në punëtoritë e ardhshme do të zhvillojmë material didaktike për të mbështetur edukatorët që të arrijnë një gamë më të gjerë të rezultateve efektive të nxënies në përdorimin e filmave. Një përparësi e madhe e këtyre filmave është fakti se studentët tanë kanë trajtuar tema shumë të rëndësishme dhe relevante për shoqërinë tonë, me theks të veçantë brengat e rinisë. Shpresojmë se këta filma do të frymëzojnë gjeneratat e ardhshme për tu bërë agjent aktiv të ndryshimit në komunitetet e tyre.

Ne jemi posaçërisht të lumtur që ky program gjithëpërfshirës është mbështetur nga një prej donatorëve tanë kryesor, National Endowment for Democracy (NED) dhe përmes mbështetjes së tyre të pandarë ne mezi po presim t’i ndajmë përvojat tona dhe metodologjinë në Mal të Zi dhe Shqipëri në vitet që vijnë.