August 3, 2025

Më 5 gusht 2025, hapet Këndi i Ballafaqimit me të Kaluarën (DwP Corner) në Galerinë e Shtëpisë së Kulturës në Prizren, si pjesë e Dokufestit.
Këndi i Ballafaqimit me të Kaluarën është hapësirë e krijuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK), i cili përmes ekspozitave, rrëfimeve personale, hulumtimeve e raporteve ofron për vizitorët copëza nga e kaluara tragjike e Kosovës.
Krahas publikimeve dhe raporteve mbi drejtësinë tranzicionale FDHK përzgjedh për këtë hapësirë projekte; ekspozita ose hulumtime që kanë në fokus Ballafaqimin me të Kaluarën dhe që angazhojnë artistë dhe autorë të disiplinave të ndryshme.
Këtë vit në hapësirën e DwP Corner do të prezantohet versioni virtual dhe promovimi i katalogut të ekspozitës së fundit të realizuar nga FDHK “Një Ditë” kuruar nga Blerta Hoçia.
Përmes dëshmive të të mbijetuarve të asaj dite tragjike, ekspozita ri-sjell kujtimet e luftës dhe pasojat e saj. Asnjë ditë nuk është e zakonshme në luftë dhe secila ditë e paqes nuk do të jetë kurrë e plotë për aq kohë sa një luftë e re do të jetë duke ndodhur diku tjetër. Lufta ka aftësinë të shterojë dhe njëkohësisht të asgjësojë kuptimet; të gjuhës, të dinjitetit, të njeriut dhe të kohës. Duke ndjekur këtë koncept të mpakjes që është esenca e vetë luftës, ekspozita që i kushtohet të mbijetuarve të saj, vendos që simbolikisht ta zvogëlojë tërë kohëzgjatjen e luftës duke e rindërtuar dhe paraqitur një ditë të vetme të saj. Kjo ditë, autopsia e së cilës ndahet në mijëra çaste të brishta, përmban të gjitha llojet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ku secila histori e rrëfyer vjen e tkurret derisa gjen formën e një fragmenti, ngjashëm me imazhet e rizgjuara të kujtesës traumatike.
Ndërsa ekspozita fizike që sjellim këtë vit titullohet “Andrrat i Shoh te Shpia e Vjetër” nga autorja Bleona Kurteshi. Synimi kryesor për autoren ka qenë që hulumtimi dhe ekspozita të arrijnë të vendosin në fokus një diskutim jo shumë të prekur në nismat memorializuese të Kosovës së pas luftës; e që është trashëgimia e luftës dhe mungesa e gjurmëve fizike të saj, ku shtëpi dhe fshatra të tëra të djegura janë rindërtuar nga e para pa lënë mbrapa pothuajse asnjë shenjë. Në këtë mënyrë kjo shenjë apo gjurmë rishfaqet në fjalët e të intervistuarve që e rrëfejnë atë si verbalisht ashtu edhe nëpërmjet rimodelimit nga balta të shtëpive të djegura të cilat u punuan nga skulptori Ardit Berisha sipas kujtesës së të intervistuarve.
Ky aktivitet, pjesë e festivalit të Dokufestit është mbështetur nga: Konfederata Zvicerane - Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme, National Endowment for Democracy (NED).
DwP Corner do të jetë i hapur duke mirëpritur vizitorë nga 5 - 9 gusht 2025.
--------
ANDRRAT I SHOH TE SHPIA E VJETËR
Bleona Kurteshi
Çfarë janë ëndrrat përvecse disa copëza kujtimesh të magazinuara diku thellë në nënvetëdije. Ashtu si disa kolazhe absurde dhe surreale ato miksohen dhe formojnë kuptime të reja të pakapshme, të pakuptueshme dhe shpesh herë të ankthshme. Çfarë mbetet është vetëm ajo ndjesi e nostalgjisë por edhe e frikës që herë pas here i gjen format për të dalë në sipërfaqe, e ndrydhur nën mijëra shtresa të gënjeshtrave të së ardhmes, të rindërtimit e të një jete të re. Gërmadhat e dikurshme bëhen shtroje të ngrohta dhe skenografi e ëndrrave të reja.
Puna e prezantuar nga Bleona Kurteshi i përket një lloj jete të së kaluarës. Nuk është kjo një formë e prapambetjes dhe të jetuarit në të shkuarën, por më shumë i ngjan meditimit. Nuk është aq një vështrim mbrapsht sa është një vështrim brenda, në introspeksion.
Hulumtimi përbëhet prej 10 intervistave gjysëm të strukturuara ku synimi kryesor për autoren ka qenë që të nxjerrë në pah një diskutim jo shumë të prekur në nismat memorializuese të Kosovës së pas luftës; e që është trashëgimia e luftës dhe mungesa e gjurmëve fizike të saj, ku shtëpi dhe fshatra të tëra të djegura nga ofanzivat e ushtrisë serbe janë rindërtuar nga e para pa lënë mbrapa pothuajse asnjë shenjë. Por a është kjo plotësisht e vërtetë?
Dalëngadalë duke hyrë në kontakt me intervistuesit dhe detajet e jetës së tyre, kuptojmë se disa gjurmë fare të vogla kanë mbetur kudo. Për vetë autoren e këtij hulumtimi është një stub i mbetur si pykë nga shtëpia e vjetër që gjyshja nuk ka pranuar kurrsesi ta rrëzojnë, i cili shpesh herë edhe e pengon hyrjen në oborr, por ai qëndron aty si një kujtesë e gjallë, trashëgimi e asaj që ka ndodhur.
Në një rrëfim tjetër është një dhomë e shtëpisë së dikurshme e mbetur e vetme në mes të oborrit e cila nuk e zbukuron oborrin dhe as pamjen e shtëpisë së re por është i vetmi vend ku rrëfyesi mund të flejë rehat, nën zërin e familjareve dhe rrethuar me mobiljet e vjetra që ai i mban në mend të gjalla si dikur.
Fatkeqësisht në raste të tjera gjurmët e mbetura janë vetëm ato të kujtesës dhe duke u nisur nga kjo, vendosëm të bashkëpunojmë me një skulptor të ri, Ardit Berisha i cili sipas përshkrimeve ka arritur të ngjizë nga balta ato mure të ëndrrave.
Si një vazhdimësi e rrefimeve personale të familjes së saj, autorja fokusohet në përvojat e përditshmërisë së individëve të prekur nga lufta në mënyra të ndryshme dhe arrin të zhvendosë vëmendjen nga një narrativë heroike dhe madhështore në një tjetër më intime. Në këtë mënyrë ekspozita shndërrohet në një platformë ku ndahen historitë, përvojat e thjeshta.
Kjo vepër është pjesë e ekspozitave të organizuara nga Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe ka si qëllim ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike.