July 19, 2026
Në edicionin e sivjetmë, DokuFest e zgjeron përvojën e festivalit duke prezantuar për herë të parë programin të dedikuar për realitetin virtual (VR). Ky program, i zhvilluar në Teatrin “Bekim Fehmiu”, i fton të pranishmit të hyjnë në botë të reja, ku dokumentari, animacioni, arti ndërveprues dhe teknologjia bashkohen për të krijuar rrëfime që jo vetëm mund të shihen, por edhe të përjetohen.
Programi përfshin katër filma ndërkombëtare të vlerësuara, që trajtojnë tema universale si kujtesa, familja, ndryshimet klimatike dhe pasojat e luftës.
A Long Goodbye është një përvojë poetike dhe interaktive që e vendos publikun në vendin e Idës, një pianiste 72-vjeçare që jeton me demencë. Përmes animacionit dhe ndërveprimit, vizitorët përjetojnë copëza kujtimesh. dashuri, humbje dhe forma se si kujtesa ndryshon e zbehet me kalimin e kohës.
The Dollhouse të çon në një botë të ndërtuar prej letre, ku Juniper, një vajzë nëntëvjeçare, përballet me ndjenjat e fajit për mënyrën se si familja e saj e trajtoi Magnolia-n, gruan që kishte ardhur nga larg për të punuar si pastruese në shtëpinë e tyre. Ky rrëfim i ndjeshëm e shndërron vizitorin në pjesë të një udhëtimi drejt empatisë, reflektimit dhe faljes.
Out of Nowhere trajton një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë: ndryshimet klimatike. Duke ndjekur historinë e Annës, një banore e Hallein-it në Austri, përvoja rikthen kujtimet e përmbytjeve shkatërruese të vitit 2021 dhe tregon se si pyjet aluviale, kënetat dhe zonat ligatinore mund të luajnë një rol vendimtar në mbrojtjen e komuniteteve përballë një moti gjithnjë e më ekstrem.
Battlefield është një përvojë e fuqishme, e frymëzuar nga Beteja e Verdunit gjatë Luftës së Parë Botërore. Përmes syve të Julien-it, një ushtar vetëm 20-vjeçar, publiku përjeton brutalitetin e luftës, shkatërrimin e natyrës dhe plagët që konfliktet lënë mbi njerëzit dhe tokën. Vepra bashkon historinë, emocionin dhe teknologjinë për të sjellë një reflektim të thellë mbi kujtesën kolektive dhe pasojat e luftës.
Programi VR i DokuFest dëshmon potencialin e teknologjive gjithëpërfshirëse për të treguar histori në mënyra krejt të reja, duke e vendosur audiencën në qendër të rrëfimit. Në Teatrin “Bekim Fehmiu”, vizitorët do të kenë mundësinë të eksplorojnë këto katër përvoja unike, të cilat e zgjerojnë mënyrën se si e kuptojmë kinemanë, dokumentarin dhe tregimin bashkëkohor.