16 Apr, 2022


Projekti “MOTRA” nga Albana Nila është përzgjedhur fitues nga komisioni përzgjedhës përbërë nga Melissa Lindgren (kuratore dhe producente e filmit), Blerta Zeqiri (regjisore), Samir Karahoda (regjisor dhe kurator filmi) dhe Veton Nurkollari (kurator filmi).

Projekti filmik i Albana Nilës “MOTRA” është një portret i vajzërisë dhe vështirësive të të qenit një vajzë e re në një shoqëri si Kosova. MOTRA nuk është një tregim i një viktime tjetër; është më tepër një tregim i një individi të ri të zgjuar që me ndihmën e motrave të saj e merr çështjen e mirëqenies së saj në duart e saj.

Albana është regjisore e lindur në vitin 1999 në Pejë. Aktualisht është në vitin e fundit të studimeve bachelor në Regji Filmi dhe Televizion në Universitetin e Prishtinës. Albana gjithashtu përfundoi një semestër të shkëmbimit me Erasmus+ICM me Universitetin Masaryk për Film dhe Kulturë Audiovizuale, nga Republika Çeke.

DokuFest do të mbështesë projektin me 10,000 Euro dhe përveç mbështetjes financiare ekipi artistik i DokuFest do të ofrojë këshillim dhe mentorim për Albana Nilën dhe ekipin e saj gjatë produksionit të filmit.

‘Promovimi i Shoqërisë Demokratike përmes Artit dhe Kulturës’ është një program i DokuFest-it që synon t’u përgjigjet sfidave të shoqërisë bashkëkohore, si erozioni i institucioneve demokratike dhe mungesa e dialogut dhe përfshirjes, duke bashkuar artin dhe kulturën me çështje më të gjera shoqërore.

Një nga elementët kyç të këtij programi është dhënia e granteve me qëllim të mbështetjes së talentëve vendas në filmbërje, regjisorëve dhe producentëve të rinj për prodhimin dhe distribuimin e tregimeve lokale në për audiencat ndërkombëtare, duke promovuar kështu tregimet lokale të parë nga këndvështrimi i artistëve të rinjë.

Këto grante kanë për qëllim të ofrojnë financim alternativ për realizimin e filmave në Kosovë, që synojnë artistët dhe kineastët e rinj nga Kosova të cilët mund të zhvillojnë dhe finalizojnë projektin brenda një afati kohor të caktuar. Raundi i dytë i thirrjes për projekte do të shpallet në gjysmën e dytë të muajit maj 2022.